Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se deri më tani janë regjistruar mbi 1.2 milion banorë në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare që ka nisë më 5 prill e do të përfundoj më 17 maj.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në ASK, Avni Kastrati theksoi se ka thënë se ka një hezitim nga komuniteti serb, por sipas tij, një pjesë e tyre është duke u regjistruar.
Ai në një konferencë për media ftoi të gjitha komunat të cilët nuk kanë qenë edhe aq aktive, të regjistrohen, sepse siç tha ai kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë për regjistrim.

“Nuk kemi telashe në aspektin teknik dhe profesionalë në terren. Nuk kemi refuzime të mëdha të qytetarëve, edhe ato pak refuzime që janë, pas disa diskutimesh po zgjedhën, qytetarët e kanë pranuar regjistrimin e popullsisë si një të mirë… Disa komuna, gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë aktive, derisa disa komuna të tjera nuk janë angazhuar aq shumë dhe presim që këto ditë edhe ato komuna të jenë shumë më pro-aktive, sepse jemi në fazën përfundimtare, kështu edhe 10 ditë kanë mbetur për regjistrim. Deri më tani mbi 1 milion e 200 mijë banorë janë regjistruar… Gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë, në disa komuna në veri, nga komuniteti serb ka ende një hezitim, por ka edhe një regjistrim në anën tjetër, një pjesë e tyre janë duke u regjistruar”, ka thënë Kastrati.

Kastrati, i pyetur rreth ngacmimeve të regjistrueseve të popullsisë që kanë marrë në familje të ndryshme, është shprehur se nuk ka marrë zyrtarisht me protokoll ndonjë ankesë.

Gjithashtu, ka shtuar se në trajnime që janë mbajtur para fillimit të regjistrimit të popullsisë, është treguar që në momentin që ai apo ajo ndihet në rrezik, mund të marrë me vete vëllain, motrën apo këdo, të cilët lejohen të qëndrojnë anash.

“Kam dëgjuar disa thashetheme por kërkojmë zyrtarisht, sepse jo të gjithë regjistruesit aty janë në nivel, por mund të jetë edhe qytetari, por nuk kemi zyrtarisht ndonjë rast që është lajmëruar tek ne… Mund të marr dikë me vete… Është treguar mënyra kur e sheh ai/ajo të rrezikshme, për të hy në një ekonomi familjare, mos me hy vetëm, mund ta thërret mbikëqyrësin, mund të ketë përcjellje nga një i afërt, motër, vëlla, burrë apo çfarëdo tjetër, ato janë trajnuar për këtë nivel… por nuk ka të drejtë të qëndroj kur të plotësohet pyetësori, mund të rri anash”, ka shtuar Kastrati.

Në fund të konferencës për media, para objektit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nuk mungoi as protesta nga përfaqësues të organizatës “Fourth Wave”, të cilët protestuan në shenjë pakënaqësie ndaj ngacmimeve të punëtorëve të ASK-së gjatë regjistrimit të popullsisë.

Aktivistja e organizatës “Fourth Wave” në Mitrovicë, Nerimane Ferizi, ka theksuar se tri vajza janë ankuar në zyrën e kësaj organizate, duke treguar se po përballen me intimidim dhe ngacmim.

Shqetësuese për ta ishte përgjigja e drejtorit ekzekutiv, Avni Kastrati, që mund të marrë dikë me veti, sepse shteti duhet të jetë ai që të siguroj sigurinë përbrenda familjeve kosovare, dhe jo familja e tyre.

“Disa prej vajzave kanë ardhur në zyrën tonë, dhe na kanë treguar se po përballen me intimidim dhe ngacmim. Çka na shqetësoj neve është që zotëria në fjalë, tha që nëse ndihen të kërcënuara, mund të marrin babain, vëllain apo motrën ose dikë tjetër, që realisht shteti është dashur të ia siguroj atyre sigurinë përbrenda këtyre familjeve, jo me familjarët e tyre. Prandaj, sot bëmë thirrje, që të ketë më shumë siguri, dhe që regjistrueset mos të përballen me intimidim brenda familjeve kosovare… Kanë qenë tre, ndoshta nuk është një numër i madh, por ka qenë shqetësuese për neve si organizatë”, ka theksuar Ferizi.