Gordana Siljanoska Davkova u lind në Ohër më 11 maj 1953.
71 vjeçarja pas saj ka një biografi të gjerë të gërshetuar me një angazhim të gjerë si profesoreshë universitare dhe protagoniste në politikën e Maqedonisë së Veriut.
Ajo është profesoreshë e pensionuar, por e dalluar në lëndën e së drejtës kushtetuese dhe sistemit politik.
Arsimin fillor dhe të mesëm ka përfunduar në Shkup, fakultetin juridik dhe magjistraturën në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa doktoraturën e kreu në Fakultetin Juridik në Lubjanë.
Karrierën e saj si profesoreshë universitare e ka nisur në vitin 1989 në fakultetin juridik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ndërsa në vitet e 90-ta ishte përfshirë si eksperte në Kuvendin e Repulbikës së Maqedonisë së Veriut në vitet e 90-ta, ku nga viti 1991 deri në vitin 1992 ka qenë anëtare e komisionit kushtetues.
Në periudhën 1992-1994 ajo ishte edhe ministre pa portofol në Qeverinë e Maqedonisë të udhëhequr nga Branko Cërvenkovski.
Nga viti 1999 deri në vitin 2002, ajo kryesoi Komitetin Nacional për Barazi Gjinore.
Ajo ka qenë eksperte për zgjedhjet e OKB-së dhe nënkryetare e grupit të Ekspertëve të Pavarur për Vetëqeverisjen Lokale në Këshillin e Evropës, si dhe ishte edhe anëtare e Komisionit të Venecias.
Në biografinë e saj të pasur thuhet se është edhe një nga themelueset e Institutit Euro-Ballkan.
Komentet e saj për ngjarjet aktuale në vend mbështeteshin gjithmonë në ligj. Ajo ishte kritike e ndryshimit të emrit me një referendum të pasuksesshëm, i cili shkeli vullnetin e qytetarëve.
Gordana Siljanoska Davkova është autore ose bashkëautore e më shumë se 200 titujve në fushën e së drejtës, sistemit politik dhe të drejtës kushtetuese. Në biografinë e saj politike ajo shkruan gjithashtu se në vitin 2019 ka qenë kandidate për presidente e përkrahur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020 ka qenë bartëse e listës së kandidatëve për deputetë të VMRO-DPMNE-së.
Nga gushti 2020 deri më 12 maj 2024 ishte deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Më 12 maj 2024, ajo u bë Presidente e Maqedonisë pasi fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit 2024. Ajo e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. (INA)