Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në vizitë miqësore liderët e koalicionit VLEN në Maqedoni , Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i përgëzoi për rezultatin zgjedhor.
Është hera e parë që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100 mijë vota.
Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me Kurtin për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale.
Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor.
Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit europian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike.