Mijëra banorë po evakuohen nga shtëpitë e tyre pasi një zjarr i madh po përhapet drejt Athinës së Greqisë, me disa flakë që shkojnë deri në 25 metra lartësi.
Bëhet e ditur se vendi historik i Maratonës është ndër zonat ku banorët po zhvendosen nga shërbimet e urgjencës.
Ndërkohë, shtëpitë dhe pronat në qytetin e afërt të Varnavas janë djegur, sipas brigadës së zjarrfikësve.
Zjarrfikësit kanë evakuuar gjithashtu njerëzit e bllokuar nga flakët në një kolonë prej 20 deri në 25 automjetesh që po përpiqeshin të largoheshin nga zona.
Siç raportohet, 40 zjarre kanë shpërthyer në Greqi që prej pasdites të së shtunës, shkruan BBC.
Brigada e zjarrfikësve ka punuar gjatë gjithë kohës, “por pavarësisht përpjekjeve, zjarri ka evoluar me shpejtësi”.
Më shumë se 500 zjarrfikës dhe 150 automjete janë vendosur për të ndihmuar në shuarjen e flakëve, të cilat tani janë drejtuar nga mali Penteli dhe periferia e Athinës.
Erërat mbeten të forta dhe pritet të rriten në intensitet.
Ndryshe, Greqia sapo ka përjetuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë në histori.
Ministri i krizës klimatike dhe mbrojtjes civile, Vasilis Kikilias, paralajmëroi se moti jashtëzakonisht i rrezikshëm do të vazhdojë.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u kthye në Athinë, duke shkurtuar pushimet e tij, për t’u marrë me krizën.