Disa qytetarë kanë hasur në mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut, njofton Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këto mbetje mortore ekipi mjekoligjor i IML-së i ka marrë për ekzaminime të mëtutjeshme dhe do të verifikohen nëse potencialisht mund t’i përkasin listës së personave të zhdukur.

“Qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore) në veriun e Kosovës (Mitrovicë). Pas njoftimit nga Policia e Kosoves, ekipi mjekoligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore. Komisioni do t’iu njoftoj pas verifikimit dhe konstatimit nga IML, nëse të njejtat janë më interes forcenzik, dhe potencialisht mund t’u përkasin viktimave të listes së personave të zhdukur”, thuhet në njoftim.

Anëtari i këtij komisioni, Kushtrim Gara, për Portalin Dukagjini ka thënë se në këtë lokacion është punuar në vazhdimësi në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të luftës.

“Po jemi njoftuar nga ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Njësitit për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, për eshtrat që janë gjetur sot nga qytetarët, në lokacionin e varrezave të besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, rruga për Zveçan. Ekipet mjekoligjore dhe DHKL-së në komunikim edhe me KQPZH kanë qenë në lokacion dhe kanë tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore. Në këtë lokacion është punuar në vazhdimësi në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të luftës”, thuhet tutje në njoftim.