Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dialogu me Serbinë ka hyrë në një fazë të avancuar.
“Edhe pse pyetësori përmban mijëra pyetje, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me durim dhe përkushtim. Dialogu me Serbinë ka arritur në një fazë të rëndësishme, ku duhet të respektojmë marrëveshjet e arritura. Marrëveshja Bazike, e arritur në shkurt të vitit të kaluar, dhe aneksi i zbatimit nga takimi i Ohrit, duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa,” tha Kurti në një konferencë për media të mbajtur në Bruksel pas një takimi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti theksoi kërkesat e Kosovës për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Kryeministri Kurti shprehu pritshmërinë që Kosova të marrë pjesën e saj të drejtë nga fondi prej 6 miliardë eurosh që BE ka ndarë për Ballkanin Perëndimor.
Dreka me von der Leyen dhe gjashtë liderët e rajonit, Zyra e Kryeministrit jep detaje
Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë sot në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Kurti fillimisht uroi von der Leyen për rizgjedhjen e saj si presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.
Ai tha se zgjerimi i BE-së, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në BE dhe t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim, si dhe largimin e masave restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta.
Sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.