Këshilltari i ASH-së në Kuvendin komunal të Kumanovës, Huzeir Mustafi, ka komentuar takimin e kreut të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievskit me ambasadorim e federatës ruse, N. E. Sergej Aleksandrovic Bazdnik, dhe nismen që në shkollat e Kumanovës të mësohet rusishtja, shkruan Open-TV.
Në një prononcim për Open-TV, Mustafi mendon se takime të tilla nuk vlen të komentohen, pasi ka pasur edhe në të kaluarën, duke përmendur takimin e ishministrit të jashtëm Bujar Osmani me homologun e tij rus Sergej Lavrov.
“Sa i përket pyetjes së parë lidhur me takimet mes eksponentëve të caktuar politik dhe ambasadorëve apo përfaqësuesve diplomatik, mendoj që nuk vlenë as të komentohet ose t’i vihet ndonjë theks i caktuar sepse edhe në të kaluarën ka patur takime të tilla, për shembull mund të ju përmend takimin e ish Ministrit të jashtëm Bujar Osmani me ministrin e punëve të jashte të Rusisë, Sergej Lavrov. Gjithashtu kujtojmë deklaratën e kryetarit të BDI-së, kur flet për takimet e tij me ambasadorët e Rusisë dhe Serbisë, kështu që nuk e dijë pse atëherë nuk u ngritën reagime të mëdha”, deklaroi Huzeir Mustafi, këshilltar i ASH-së.
Sipas Mustafit, vendime për të mësuar rusishten si lëndë zgjedhore nëpër shkolla, ka pasur edhe në vitin 2021, kur me ministrinë e Arsimit udhëheqnin LSDM dhe BDI.
“Vendime për të mësuar rusishten si lëndë zgjedhore nëpër shkolla, ka patur në vitin 2021 kur me ministrinë e Arsimit udhëheqnin LSDM dhe BDI, pra atëherë e kanë sjellë vendimin ndërsa tani ankohen për një deklaratë të tillë. Asgjë më shumë përpos ‘luftë’ propagandistike që më shumë ka për qëllim të krijojë huti se sa vërtetë shqetësohen për hallin dhe gjendjen e qytetarëve, e sidomos për arsimin që e kanë shkatërruar për mbi 20 vite qeverisje”, thotë Mustafi dhe shtoi:
“Opinioni dhe qytetarët duhet ta dinë se programet mësimore propozohen nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe miratohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Komunat e kanë për obligim të veprojnë në bazë të aryre planprogrameve. As komuna, as kryetari komunës, e as këshilli komunal nuk e ka këtë të drejtë që të ndryshoj planprogramet dhe të ketë lëndë të ndryshme nëpër komuna apo shkolla të caktuara”.(Open-TV)