Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk do t’i zbardhë raportet për punën e deritanishme të Agjencisë për Siguri Kombëtare të dorëzuara nga ish drejtori Zarko Milloshevski sepse janë konfidenciale. Por, ai shton se raportin e parë e ka marrë dy muaj e gjysmë pas marrjes së mandatit gjë që e ka bërë të kuptojë që, sipas tij, ka probleme me këtë institucion. Mickoski ai mbron vendimin e tij për emërimin e Bojan Hristovskit drejtor të ri të ASK-së.
“Përmbajtjen e raporteve nuk do ta ndaja tani me opinionin por më besoni se nuk do ju habisë asgjë meqë këtë e lexoni çdo ditë në portale ose podcaste. Janë konfidenciale, edhe pse nuk shoh ndonjë arsye se pse duhet të jetë ashtu por që të mos e komprometoj punën e institucionit mundem vetëm t’u them se s’do ju befasojë asgjë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Hristovski ka qenë të paktën deri në vitin 2023 anëtar aktiv i VMRO-DPMNE-së dhe kjo është hera e parë që hyn në ASK. Megjithatë, Mickoski thotë se ka përvojën e nevojshme në fushën e sigurisë.
LSDM-ja kërkon largimin e kuadrove partiak nga institucionet profesionale, me këtë, edhe shkarkimin e Hristovskit.
“ASK-ja duhet të jetë isntitucionet i pavarur që do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe jo për interesat e një partie dhe të një njeriu, ata janë Mickoski dhe DPMNE-ja. Politika dhe kuadrot partiak nuk e kanë vendin në ASK. Kërkojmë masa urgjente për departizim, gjegjësisht, shkarkim të Hristovskit dhe emërim të drejtorit të ri të ASK-së”, tha Metodija Ilijevski, LSDM.
Agjencia për Siguri Kombëtare por edhe Agjencia e Zbulimit, dy institucione kyçe në fushën e sigurisë, do t’u nënshtrohen reformave të reja, edhe atë, bashkimin e tyre në një institucion të vetëm. Mickoski thotë se për këtë është e njoftuar edhe Presidentja.
“Absolutisht. Kjo është e nevojës si reformë, jo sepse dikush ka frustrime personale dhe do të bashkojë agjenci. Këtë e kanë bërë pjesa më e madhe e partnerëve tanë në NATO”, shtoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski më herët kishte deklaruar se për bashkimin e institucioneve të sigurisë do të kishte një plan konkret muajve në vijim./Alsat.mk