Dje, në kuadër të muajit ndërkombëtar të parandalimit të kancerit të gjirit, Asambleja e Gruas së Aleancës për Shqiptarët organizoi një tribunë për ndërgjegjësimin mbi këtë sëmundje në Sallën e Këshillit të Komunës së Çairit, përcjell FOL.
Gjatë ngjarjes, kryetarja e Asamblesë së Gruas të Aleancës për Shqiptarët, njëherit edhe zëvendësministre e mbrojtjes, Elfete Ismaili ju drejtua të pranishmëve me një fjalim përshëndetës, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
Mbi temën folën ekspertë të njohur, si Argjend Imeri – dr. në radiologji, Merale Ferati – dr. në gjinekologji, Ilir Vela – dr. në kirurgji torakale dhe Njomza Shaqiri – PhD kandidate në sigurimin e ushqimit, biokimiste, të cilët ndanë informacion mbi aspekte të ndryshme të kësaj sëmundje.
Qëllimi i tribunës ishte të ofronte informacion të rëndësishëm mbi parandalimin, diagnostifikimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të gjirit, si dhe të inkurajonte gratë të kryejnë kontrolle të rregullta.
Në këtë tribunë po ashtu u apelua nga panelistët që të gjitha gratë dhe vajzat, pavarësisht moshës, të bëjnë kontrolle të rregullta, duke përfshirë vetëkontrollin e gjirit, eho dhe mamografi./FOL/