Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mburrur para deputetëve për katër vjet qeverisje. Ai, në Kuvendin e Kosovës, tha se sot është krenar dhe me vetëbesim për mandatin e tij qeverisës, që sipas tij ka qenë me të arritura dhe më shumë sfida.

– Advertisements –

Kreu qeveritar përmendi zhvillimin ekonomik si sukses, rritjen e punësimit për 22 për qind si dhe ngritjen e pagës minimale.
Krahas kësaj, Kurti nënvizoi sundimin e ligjit dhe shtrirjen e sovranitetit në veri dhe siç tha shpartallimin e grupeve kriminale atje.

Kurti pati edhe një arsyetim për mungesën e njohjeve të reja.

“Qëndroj para jush sot me krenari dhe vetëbesim për këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë, që ka qenë me plot të arritura dhe më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar. Është një histori ndryshimesh që e prekin jetën e përditshme të gjithë qytetarëve të secilës kategori shoqërore. Këto histori suksesi flasin për një ardhme më të mirë që nuk e përjashton askënd. Shifrat që do t’i prezantojë kanë shpirt, pasi ato kanë vënë në lëvizje mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e tyre dhe mundësitë për të ardhmen”, tha Kurti.

“Le të fillojmë me ekonominë që ka shënuar rritjen më të madhe dhe njëkohësisht solide. Në këto tri vite të fundit kemi pasur rritje ekonomike mesatarisht prej 6.36 për qind të bruto-produktit vendor. Asnjëri prej këtyre tri viteve të qeverisjes sonë se ka pasur rritjen ekonomike më pak se katër për qind. Po flas për rritjen reale ekonomike, pasi të hiqet inflacioni…Papunësia që dikur ndjehej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënie nga 25.8 për qind në 10.7 për qind. Sfidë na mbetet në këtë aspekt aktivizimi më i madh i grave….Aso kohe në Kosovë kanë qenë gjithsesi të punësuar 350 mijë qytetarë, ndërkaq sot që po flasim janë 430 mijë. Pra 80 mijë më shumë sesa në pranverën e vitit 2021. Kjo është një rritje prej 22 për qind e punësimit”, shtoi Kurti.
Duke folur për sundimin e ligjit dhe luftimin ndaj korrupsionit, Kurti tha se gjatë mandatit të tij janë arrestuar 300 zyrtarë publik.

Ai përmendi mbylljen e strukturave paralele serbe në veri dhe shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

“Rreth 300 zyrtarë publik janë arrestuar. Mbi 4.5 ton substanca narkotike janë konfiskuar, 37 rrugë ilegale janë mbyllur prej tyre 29 në veri. Gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave janë shkatërruar në veri, 9 stacione policore për mbikëqyrjen e kufirit i kemi në veri. S’ka qenë asnjë më herët…Janë mbyllur komunat ilegale të Serbisë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Suharekë, Istog dhe Skenderaj. Organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut i kemi shpall si organizata terroriste. Është eliminuar ndikimi i tyre si organizata në veriun e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se s’ka elemente kriminale ende atje…Ky sukses i shtetit tonë të përbashkëta e ka rritur nervozen dhe agresivitetin në Beograd”, shtoi ai.

Sa i përket politikës së jashtme dhe mungesën e njohjeve të reja, Kurti tha se këto të fundit nuk i ka premtuar në fushatën zgjedhore të vitit 2021.

Sipas tij, në program qeverisës vihet në pah më shumë punësimi dhe drejtësia.

“Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja. Por duhet të kuptoni edhe një gjë, as liberalizimin e vizave dhe as njohjet e reja si kemi prezantuar në fushatë. Në fushatë kemi premtuar punësim dhe drejtësi. Neve duhet të na matni për zotimet që i kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe pastaj në programin qeveritar”, theksoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti përmendi edhe arsimin dhe infrastrukturën si sukses në mandatin e tij qeverisës./KosovaPress.