Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, mori pjesë në konferencën dyditore me temën “Sfidat Bashkëkohore të Sistemit për Mbrojtje dhe Shpëtim”, një ngjarje e cila ka bashkuar ekspertë dhe liderë të njohur nga fushat e sigurisë dhe menaxhimit të krizave.
Konferenca ofroi një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit në këto fusha, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë moderne dhe strategjitë për forcimin e menaxhimit të krizave.
Në fjalimin e saj, zëvendësministrja e Mbrojtjes Ismaili theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimit midis institucioneve për menaxhimin efektiv të krizave. Ajo u ndal gjithashtu në nevojën për trajnim të vazhdueshëm të profesionistëve dhe përmirësimin e kapaciteteve për mbrojtjen dhe shpëtimin e qytetarëve, duke u fokusuar në bashkëpunimin ndërinstitucional si element kyç në përgatitjen për sfidat e ardhshme.
Kjo konferencë ofroi mundësi për identifikimin e risive dhe strategjive që do të kontribuojnë në forcimin e sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit, duke siguruar një përgjigje më të shpejtë dhe më të efektshme ndaj krizave që mund të lindin në të ardhmen./FOL/