Sot, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, kemi filluar procedurën për shpalljen e thirrjes së dytë publike për financimin e projekteve kapitale në komunat tona, me një fond deri në 15 miliardë denarë. Këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtimin e shkollave, kopshteve, parqeve, ujësjellësve dhe kanalizimeve, duke zgjidhur probleme që qytetarët i kanë përballuar me dekada.

Kjo është mbështetja më e madhe ndonjëherë e pushtetit qendror për vetëqeverisjen lokale. Në thirrjen e parë, 78 komuna fituan 288 projekte me vlerë mbi 73 milionë euro, ndërsa tani komunat do të kenë mundësi të përfitojnë edhe më shumë, thuhet në njoftimin e Zëvendës Kryeministrit Arben Fetai.