Shkruan: Hasan Jashari
Ishte është një udhëtim i fuqishëm dhe emocional që pasqyron një përjetim të thellë personal dhe
kolektiv
Rrugët i lidhin të gjitha vendet e botës. Udhëtarët janë trima të hapësirave të pafundme dhe të
panjohura. Një fjalë popullore thotë se kalit dhe burrit nuk u dihet varri. Udhëtarë të njohur në të
kaluarën kanë qenë Marco Polo, Magelani, Kolombi, James Cook.
U nisëm herët në mëngjes. Koha ishte e vrenjtur dhe ishim të veshur për dimër-pranverë. Data
ishte 6 prill 2025. Vetura e Kadriut kaloi me shpejtësi nga Dobroshti në Tetovë, Shkup dhe më pas
arritëm në Stenkovec. Po kështu vepruan edhe veturat e tjera, me Qimin dhe Nashitin.
Nga aty, ku mblidhen bjeshkatarë nga Shkupi, Tetova, Dibra, Gostivari, Kumanova, me autobusë, pritëm në
radhë në kufi. Pritjet në kufi na kujtuan ato të pas vitit 1991. Byrokracia sjell rregulla të ndryshme
për të theksuar dukshmërinë dhe rëndësinë e profesionalizmit të saj, thotë sociologu Max Weber.
Më pas mbërritëm në Kaçanik. Qyteti nuk është më i zymtë si dikur. Ideja e progresit është e
dukshme – po ndërtohet me të madhe infrastruktura; shtëpitë janë të lyera dhe të mirëmbajtura.
Aty na u bashkuan bjeshkatarët lokalë. Mua më dhanë një thes najloni, pasi filloi të binte borë e
përzier me shi. Thesi u gris që të nxirrja kokën, pastaj krahët – më ndihmoi Baxha Serveti dhe, më
duket, edhe Doktori nga Kaçaniku.
Pastaj morëm rrugët e refugjatëve dhe filluam të ngjiteshim përpjetë malit. Sepse armiku,
okupatori, gjithmonë ka zaptuar qytetet dhe rrugët kryesore, ndërsa luftëtarët e lirisë kanë pasur
për mburojë dhe shpresë malin, fushën… Përpjeta në fillim na lodhi, por organizmi u përshtat me
kushtet e jashtme.
Një pyetje filozofike që më mundon: cilat rrugë i marrin ndër këmbë udhëtarët në mëngjes? Rrugët
më të mira janë ato që të çojnë në zemër të malit, në vende të panjohura e të mbushura me të
papritura. Udhëtimi ynë nga Kaçaniku drejt Bllacës, i titulluar “Marshi i Paqes”, ishte një përjetim
i veçantë. Filloi si një marsh i thjeshtë, por përfundoi si triumf i madh – një fitore që tejkalon edhe
Sizifin.
Njerëzit gjithmonë kanë udhëtuar. Ekziston një mit i debatueshëm se njerëzit e lashtë qëndronin
gjithmonë në një vend, pa u larguar kurrë nga vendlindja. Por gjithnjë e më shumë historianët dhe
arkeologët po zbulojnë se brezat e mëparshëm kanë udhëtuar larg, vetëm për të kërkuar burime
dhe cilësi të reja jetese.
Në kohën e revolucionit neolitik, njerëzit filluan të ngulen në një vend dhe t’i dalin zot tokës. Për
herë të parë, shtëpia mori një kuptim të plotë. Vendëlindja u bë thesar, e shenjtë. Por njerëzit e
Bllacës, më 1999 u dëbuan nga vendlindja, nga oxhaqet e tyre. Ata vriteshin edhe rrugës, edhe kur
iknin.
Rrugëve u japin kuptim dhe jetë njerëzit që ecin mbi to, ata që kanë një cak, që bëjnë përgatitjet
për nisje: cilën anë do të kapim, ku do të ndalemi për kafe, ku për drekë, ku do të flejmë? Ky
udhëtim në shtigjet e refugjatëve të dëbuar nga ushtria dhe policia serbe ishte specifik. Nuk kishte
kafe, nuk kishte pushim, nuk kishte salltanate. Kënaqësia e vetme ishte se mbanim hapin me njëri-
tjetrin. Pak nga pak, e ndjenim kohën e keqe që nuka krahasohej kursesi me trishtimin e kolonave
të njerëyve të dëbuar nga shtëpitë në vitin 1999.
Qëllimi ynë ishte solidariteti – me të moshuarit, të sëmurët, me nënat që mbanin fëmijët në gji, me
ata që kishin lënë shtëpitë, varret e të parëve, që në atë rrëmujë ekzistenciale ishin ndarë nga fëmijët
e tyre.
Një rrugë e çmendur që e kalonim lehtë
A keni parë një rrugë të çmendur? Herë ka pak asfalt, herë baltë dhe ujë ‘deri në gu’, siç thotë
Qumili në humorin e tij. Herë duhej të ecnim në rresht një nga një-kishte ferra, teposhtëza e
tatëpjeta, borë, këmbët na ishin mbushur me ujë.
Përnjëherë më kujtohet vjersha e Dritëro Agollit “O kali plak”:
Kapërcyem një prag, na shty edhe pak
Andej nga nxitojnë lejlekët në varg.
Nga vrima e qiellit na ndjek një rrufe,
Kapërcyem hendeqe e ujëra, gurë e dru, dhe vullneti i madh na shtynte përpara…
Udhëtimi vazhdonte me imagjinatën time për kalin e Agollit dhe vargjet:
O kali im plak me shalë e me fre,
Me jele të zeza përzier me re.
Në rrugën me gropa, me rërë e kulmak,
Çalojmë e gufojmë të arrijmë atje larg…
Kjo më përsëritej në mendje; pra, unë, Dritëroi, balta,fortuna bora.. derisa kalonim katundin malor
Gjurgjedel, një vend me dhjetëra shtëpi që i ngjasonin Dobroshtit të vitit 1970. Po e bisedonim me
bashkudhëtarët pse komuna dhe qeveria nuk i ndihmonin banorët që të zbrisnin më poshtë, pranë
qytetërimit dhe rrugëve kryesore.
Udhëtim i gjatë dhe i gjatë… Shiu dhe bora nuk kishin të ndalur.Mendonim dhe bisedonim me
shokët për vuajtjet e të dëbuarve që kanë kalur asaj rruge. Mbi mal filloi të vërehej shtresa e parë
e borës. Diku-diku na godiste një fortunë e pamëshirshme. Kolona dukej si një ushtri memece, e
mbuluar me qese najloni, por e vendosur dhe me energji të madhe për ta përballuar rrugën dhe
motin. Un e Agolli vazhdojm:Dritëro të lutem më ndihmo!
Kapërcejmë një ledh, dredhojmë një gardh,
Qëndro, mos u zbath, duro, mos u ngath!
O kali im plak, me thundra me baltë.
Shoqata “Scardus”, Dobrosht – një tufë djemsh të rinj dhe disa të moshuar, bashkë me një zonjë të nderuar
Shoqata e bjeshkatarëve nga Dobroshti ka në hartën e saj shumë ngjitje në Maqedoni, Kosovë dhe
Shqipëri. Nga Dobroshti u nisëm 14 veta me tre vetura. Këta ishin: kryetari Qimi, Kadriu, Arifi
me gruan e tij znj. Kumrijen, Xhevairi, Serveti, Ramadani, Xhemali, Nashiti, Sadati, Adnani,
Shemsedini, Dauti dhe unë.
Shoqata ka para vehtes rrugë të gjata dhe të mundimshme. Anëtarët e sajë përherë do të pijnë ujë
duke u shtrirë përtokë në burime, duke vu buzët te ujvara,në gurë, duke u larë në ujin e ftohtë.
Shoqata krijon një sociabilitet të fuqishëm dhe anëtarët e bëjnë të kuptimtë jetën duke shijuar
sociologjinë e natyrës. Ata jo vetëm që mbushen me ajër, por edhe vetëpërmbushen dhe e njohin
vehten si që thotë filozofi Sokrat. Ata do të komunikojn me natyrën në vazhdimësi.
Pak fjalë për organizatorin – Fariun
Ngadhënjimi më i madh ishte mbledhja e aq shumë njerëzve 400-500, mendoj unë, për të përshkuar
një rrugë 22 kilometra, në baltë, borë, fortunë. Të ecësh 5 orë pa ndalur dhe të gjithë të arrijnë në
cak shëndoshë e mirë – është një arritje e jashtëzakonshme.
Lëvdata për Fari Rexhepin – një njeri me vullnet dhe elan të madh, gjithmonë në krye të kolonës.
Në fund mund të them se marshi ishte si një vjershë e Dritëroit – por të gjithë ishin kuaj të rinj,
madje kishte edhe fëmijë, pra mëza… Unë isha një kalë si gjithë të tjerët.
Ky marsh më vetëplotësoi. Më dha mua dhe shokëve të mi – bashkudhëtarëve të 6 prillit – një
motivim epik që tejkalon Sizifin dhe vargjet e Dritëroit:
E di se do mekesh, po prit edhe pak,
Se fryma si jotja dhe mua m’u vak…
Por, askush nuk u mek, dhe askush nuk u vak. Të gjithë ishim fitimtarë.