Në një kohë kur Aleanca për Shqiptarët duhet të jetë shembull i demokracisë së brendshme dhe respektit për mendimin ndryshe, për fat të keq po përballemi me shfaqje shqetësuese të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve të hapura ndaj çdo anëtari që guxon të mos pajtohet me vendimet e udhëheqjes aktuale.
Deklaratat e fundit publike të Sekretarit Organizativ të ASH-së, një prej njerëzve më të afërt të kryetarit Arben Taravari përbëjnë një sulm të rëndë verbal ndaj çdo zëri kritik brenda partisë. Me fraza si “vetia e njerëzve të poshtër është të godasin kur mendon se je më i dobët” dhe “as llogaritë nuk mbyllen me heshtje”, ai ka kaluar çdo kufi të etikës politike dhe qytetare.
Është e papranueshme që një funksionar i lartë partiak, në vend që të kultivojë dialog dhe respekt për debatin e brendshëm, të zgjedhë të intimidojë dhe etiketojë njerëzit që e kanë mbrojtur Aleancën për vite me radhë. Këto nuk janë më qëndrime politike janë kërcënime të drejtpërdrejta që dëmtojnë imazhin e partisë dhe frymën për të cilën ajo u krijua.
Ne theksojmë me vendosmëri: këto nuk janë goditje ndaj askujt. Janë përpjekje të sinqerta për të mbrojtur vijën politike dhe vizionin e Aleancës për Shqiptarët, nga ata që ditën dërgojnë buzëqeshje dhe zemra, ndërsa natën punojnë për ta përçarë dhe dobësuar atë nga brenda.
Ne që sot akuzohemi si “pengues” të unitetit, kemi qenë gjithmonë në vijën e parë për ta mbrojtur këtë Aleancë në ditët më të vështira, kur të tjerët ishin diku larg, në heshtje ose në pritje. Edhe sot jemi këtu, të njëjtit, me të njëjtin ideal. Aleanca nuk është pronë private, as vegël e karrierave personale. Është një projekt i përbashkët, dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë me çdo mjet demokratik dhe qytetar.
U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve dhe opinionit publik të mos bien pre e shantazheve, por të qëndrojnë të palëkundur në mbrojtje të vlerave dhe parimeve që e ndërtuan këtë Aleancë.