Arben Taravari dhe dilema e një lideri
Në vend që të jesh shkatërrues i një ideali, ndonjëherë më fisnikja është të tërhiqesh në heshtje.
Në politikë, si në jetë, ndershmëria shpesh kërkon guxim, jo për të fituar beteja, por për të pranuar se ke devijuar nga rruga dhe për të bërë një hap pas.
Ky guxim është rrallë dhe vlen më shumë se çdo marrëveshje politike. Rasti më i fundit që e rikthen këtë temë në diskurs publik është ai i zhvillimeve dramatike brenda Aleancës për Shqiptarët.
Arben Taravari, një figurë që u pa si zëri i shpresës për ndryshim, vendosi papritur të braktisë koalicionin “Vlen” dhe qeverinë, për të flirtuar politikisht me BDI-në e Ali Ahmetit, pikërisht partinë që ASH dhe elektorati i saj e sfiduan një vit më parë si simbol të kapjes së shtetit dhe stagnimit. Ky vendim u mor pa konsultim të gjerë, pa pëlqimin e anëtarësisë dhe pa reflektuar vullnetin e atyre që qëndruan në rresht për ta votuar idenë e ndryshimit.
Por ajo që ndodhi më pas është ajo që e mban ende gjallë moralin politik në ASH. Nuk ishin anëtarët që tradhtuan idealin, ishte lideri që devijoi. Dhe megjithatë, përkundër zhgënjimit dhe presionit, shumica e strukturave të partisë nuk kërkuan kokën e Taravarit.
Ata treguan një maturi të rrallë në politikën shqiptare, nuk i bënë thirrje për dorëheqje, nuk e poshtëruan publikisht, nuk e hodhën në rrugë. Ia lanë vetë atij mundësinë të reflektojë, të kthehet mbrapa, ose nëse nuk mundet, të bëjë atë që në kulturat e lashta quhej “vetëvrasje e ndershme” , një tërheqje dinjitoze që i hap rrugë të ardhmes pa njollosur idealin e betejës së përbashkët.
E kujtojnë ata tregimin e vjetër për komandantin që humbi betejën dhe ushtarët, në vend që ta gjykonin ashpër, i propozuan të mbrojë nderin e vet dhe të ushtrisë me një akt të fundit burrëror: “një vetëvrasje të ndershme”, që historia ta përkujtojë jo si të poshtëruar, por si të drejtë.
Strukturat e ASH që refuzuan bashkimin me BDI-në nuk kërkuan ndarje, as parti të re. Ato qëndruan aty ku ishin, në krah të idesë për të cilën janë votuar. Nuk lëvizën nga kauza, lideri u largua nga ajo.
Sot, më shumë se kurrë, koha kërkon jo lojë politike, por përgjegjësi morale. Dhe përgjegjësia më e lartë e një lideri nuk është të rrijë në fron, por të dijë kur nuk e meriton më atë. Atëherë, një “vetëvrasje e ndershme politike” nuk është akt dobësie, por i vetmi shpëtim i nderit dhe i trashëgimisë së tij politike./Latif Arifi