Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, papritur është alarmuar për një “kërcënim të ri”: ndërhyrjen e VMRO-DPMNE-së në përzgjedhjen e kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet lokale. Ai flet për “kandidat të pavarur të sponsorizuar”, për ndërhyrje të fshehta dhe për rrezikun e kapjes së pushtetit vendor nga partneri maqedonas. Mirëpo, e vetmja gjë e re në këtë histori është hipokrizia e vjetër e Doktorit.
Sepse nëse ka një shqiptar që e di me përvojë se çfarë do të thotë “sponsorizim i heshtur” nga VMRO-ja, ai është pikërisht Arben Taravari. Jo një herë, por dy herë radhazi, në vitin 2017 dhe më pas në 2021, ai përfitoi qartazi nga mbështetja e strukturuar e VMRO-së në Gostivar, për të mundur BDI-në në betejën për komunën.
Askush nuk ka harruar se si në vitin 2017 vota maqedonase u orientua në mënyrë kirurgjikale në favor të Taravarit, në një skenar ku VMRO vendosi të “rrinte neutrale”, por baza e saj doli e organizuar për ta votuar dokrorin. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2021, kur retorika nacionaliste e Mickoskit u ndal papritmas në kufirin e Gostivarit dhe u kthye në “heshtje strategjike”, që sërish ndihmoi Taravarin.
Prandaj, kur sot Taravari ngre gishtin drejt VMRO-së dhe ankohet për “sponsorizime të rrezikshme”, ai nuk po flet si viktimë, por si një pacient që ka frikë se ilaçi që e ka shëruar dikur, mund t’i jepet dikujt tjetër.
Frika e vërtetë e Taravarit nuk është se VMRO po ndërhyn, ai e di që ajo gjithmonë ka ndërhyrë. Frika e tij është se këtë herë, nuk do ndërhyjë për të. Këtë herë, do zgjedhë një “taravar tjetër”.
Në politikën shqiptare në Maqedoni, kujtesa është e shkurtër, por faktet janë të gjata. Dhe fakt është që Taravari është një nga pionierët e eksperimentit me “mbështetje të heshtur maqedonase”. Sot, kur sheh që kjo skemë mund të zbatohet për të tjerët, pa lejen dhe përfitimin e tij, reagon si njeriu që e ka nuhatur fundin.
Dhe nëse VMRO-ja ka një faj, nuk është se po ndërhyn sot. Është se i dha Taravarit krahë dje.