Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka reaguar ndaj tentativave të BDI-së për të manipuluar opinionin publik përmes anketave të sajuara dhe incidentëve të qëllimshëm, në përpjekje për të mbuluar krizën e thellë politike në të cilën ndodhet.
“Sa herë që BDI-ja dhe i ashtuquajturi Front i Korrupsionit ndodhen në krizë, rikthehen te metodat e vjetra: destabilizime, zjarrvënie, inskenime dhe shpifje mediatike”, shkruan Durmishi, duke përmendur rastin e incidentit me Danella Arsovskën dhe dyshimet për zjarrvënie nga funksionarë të BDI-së.
Ai i cilëson qesharake anketat që BDI publikon herë pas here, të cilat i paraqesin liderët e saj me përkrahje më të madhe se ata të VLEN-it, një përpjekje për të mashtruar qytetarët dhe për të krijuar përshtypje të rreme të epërsisë. “Në realitet, VLEN është bindshëm përpara në shumicën e komunave, në disa raste me raport 3 me 1 ndaj Frontit të Korrupsionit”, thekson ministri Durmishi.
Ai i drejton një sfidë publike Ali Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij. “Nëse anketat e tyre janë reale, le ta publikojnë marrëveshjen për ndarjen e komunave! Por nuk e bëjnë, sepse pikërisht ajo marrëveshje e ka fundosur Selën e Taravarin dhe ua ka prerë çdo shpresë për sukses në zgjedhje”, shkruan Durmishi.
Sipas tij, Ali Ahmeti i ka futur në kurth aleatët e vet, duke i eliminuar një nga një dhe tani duke ua lënë atyre barrën e humbjes së sigurtë që e pret BDI-në në zgjedhjet lokale.
“Sot, Taravari është ulur në nivelin e partisë së Arjanit Hoxhës dhe Skender Rexhepit, ndërsa Sela është eliminuar plotësisht. Me vete kanë vetëm një grusht njerëz të interesit, jo strukturat që pretendojnë”, përfundon reagimin ministri Durmishi.