Deputetja e koalicionit VLEN, Merita Koxhaxhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Bujar Osmanit, i cili publikisht refuzoi të mohojë takimet me ish-kryeministrin e arratisur Nikolla Gruevski, duke pranuar në mënyrë të tërthortë kontaktet me të.
“Jemi dëshmitarë të një skandali të rëndë. Bujar Osmani, një person që për mbi dy dekada ka keqpërdorur besimin e shqiptarëve, e pranoi me gojën e vet se ka pasur takime me Nikolla Gruevskin – një të arratisur dhe të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është dëshmia më e qartë se BDI nuk është e reformuar, por një grup interesash që manipulojnë ndjenjat dhe aspiratat e shqiptarëve për interesa personale e partiake”, deklaroi Koxhaxhiku.
Ajo parashtroi disa pyetje publike ndaj Osmanit:
• Prej kur takimet e një ministri të jashtëm me persona në listën e zezë amerikane konsiderohen “sekret shtetëror”?
• A janë raportuar këto takime në Prokurorinë Publike dhe Ministrinë e Brendshme?
• Cili ishte interesi i këtyre komunikimeve të fshehta?
Deputetja e VLEN kujtoi se Arratisja e Gruevskit u bë me ndihmën e strukturave të BDI-së dhe se ligji për amnisti për Sasho Mijalkovin dhe klikën e tij u votua nga BDI.
“E gjitha kjo është shenjë e dëshpërimit të një elite të korruptuar që e di se koha e saj po mbaron. BDI e ka shndërruar politikën në treg e biznes, ndërsa shqiptarët i ka kthyer në peng të marrëveshjeve të tyre me kriminelë dhe të arratisur nga drejtësia”, theksoi Koxhaxhiku.
Sipas saj, VLEN është alternativa që garanton transparencë dhe rikthimin e politikës së pastër. “Qytetarët meritojnë përgjegjësi, jo marrëveshje të fshehta me njerëz që e kanë plaçkitur shtetin”, përfundoi ajo.