Nga Latif Arifi
Në politikë, ka momente kur nderimet humbasin kuptimin dhe shndërrohen në farsë.
Sa herë që afrohen zgjedhjet, Ali Ahmeti rikthehet me të njëjtin skenar: dekorata, tituj “Honoris Causa”, ceremoni pompoze në universitete që për një ditë harrojnë misionin e tyre arsimor dhe shndërrohen në vegla të propagandës partiake.
Në vend që të nderohen studiues, inovatorë apo figura që kanë sjellë përparim, nderohet vetë Ahmeti, për “meritat historike” që tashmë as vetë ai nuk di si t’i justifikojë.
Dekoratat nuk janë më shenjë respekti, por oksigjen politik për një lider që e ndien se koha po i rrëshqet nga duart.
Janë maskim, jo meritë.
Në çdo vend normal, titujt ndahen për dije, vepra e sakrificë. Tek ne, ndahen për të shpëtuar imazhin e një lideri të konsumuar që ka humbur lidhjen me realitetin.
Nga fasadat e universiteteve, skena e propagandës zhvendoset në konventat elektorale.
Aty ku dikur flitej për shpresë, sot dëgjohen fjalë që i shërbejnë vetëm urrejtjes.
Në vend të argumenteve, ofendime.
Në vend të ideve, shpifje.
Në vend të planeve për zhvillim, përplasje personale.
“Zagarë, lakej, kasnecë”, kështu u shpreh Ali Ahmeti në konventën e fundit të AKI-së, ndaj kundërshtarëve politikë dhe, në fakt, ndaj çdo qytetari që nuk është në vijën e tij.
Ky nuk është fjalor i një lideri, por i një njeriu që ka humbur kontrollin emocional.
Ai nuk flet më me bindje, por me frikë.
Frikë nga humbja e pushtetit.
Frikë nga humbja e privilegjeve.
Frikë nga drejtësia.
Sepse kur pushteti ndërtohet mbi nepotizëm, tenderë dhe pasuri të paligjshme, çdo fjalë në publik bëhet mburojë e frikës për të nesërmen.
Në mungesë të narracionit politik, Ahmeti i kthehet nostalgjisë së luftës.
Në vend që të promovojë kandidatët, ai flet për vetveten.
Në vend që të flasë për të ardhmen, ai rrotullohet rreth kujtimeve të së kaluarës.
Dhe kur s’gjen më as frymë brenda vendit, tenton të marrë oksigjen politik në Tiranë e Prishtinë, duke kërkuar mbështetje nga jashtë, sepse këtu, në mesin e shqiptarëve që dikur e besuan, besimi është shuar.
Por në thelb, kjo nuk është më politikë, është mbijetesë personale.
Një betejë për të ruajtur pasurinë dhe ndikimin, jo për të mbrojtur interesat e shqiptarëve.
Narracioni për “diskriminimin” është vetëm perde tymi për të fshehur frikën nga humbja e pushtetit dhe kontrollit financiar që për dy dekada e ka mbajtur gjallë sistemin e tij.
Dhe ndërsa koha ecën, skena politike e Ahmetit po shndërrohet në monolog nostalgjik.
Nuk ka më energji, as karizëm, as ide.
Vetëm përpjekje për ta zgjatur një epokë që tashmë ka marrë fund.
Në çdo dalje publike, ai duket si njeri që përpiqet të mbajë frymën gjallë me fjalë të mëdha, por që nuk bind askënd, as vetveten.
E gjithë kjo shfaqje e stisur, e mbështetur nga hijet e listës “non grata” që ende endet nëpër prapaskena, tregon një gjë të thjeshtë:
Ali Ahmeti nuk është më simbol i shpresës, por simbol i frikës nga fundi.
Fjalimet e tij nuk frymëzojnë më, por lodhin.
Deklaratat e tij nuk ngjallin besim, por ironi.
Ai që dikur u ngrit si lider i shpresës, sot qëndron si peng i frikës, frikës nga humbja, nga harresa, nga drejtësia.
Historia nuk i mban mend ata që s’u tërhoqën në kohë.
Ajo i përmend si shembuj të asaj se si pushteti i gjatë, pa vetëkontroll, shndërrohet në tragjedi personale.
Dhe ky është sot rasti i Ali Ahmetit:
një fund pa lavdi,
për një fillim që dikur premtuan si epokë.