Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përmbyllje të vitit 2025 ka renditur dhjetë zhvillime që, sipas tij, përbëjnë lajmet më të mira për vendin dhe qytetarët, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar rritjen e mbështetjes sociale, forcimin e sigurisë, avancimet ndërkombëtare dhe investimet në sektorë kyç si energjia, shëndetësia dhe arsimi.
Sipas tij, një nga vendimet më të rëndësishme ka qenë rritja e shtesave për nënat lehona, nga 170 euro në 325.9 euro, si dhe rritja e pagesës së pushimit të lehonisë nga Qeveria, nga 223 euro në 319.5 euro. Po ashtu, ai ka përmendur rritjen e pensionit bazik në 150 euro.
Në fushën e sigurisë, Kurti ka theksuar forcimin e ushtrisë së Kosovës me pajisje moderne, përfshirë dronë amerikanë Puma, dronë luftarakë turq Skydagger dhe sistemin antitank gjerman Panzerfaust 3.
Në planin ndërkombëtar, ai ka përmendur katër njohje të reja, përmirësimin e fuqisë së pasaportës së Kosovës në indekset ndërkombëtare dhe heqjen e masave të Bashkimit Evropian, të cilat i ka cilësuar si të padrejta.
Si projekte infrastrukturore, Kurti ka veçuar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një për këmbësorë dhe një për automjete, si dhe përurimin e Depos së re Qendrore të Barnave, pas më shumë se dy dekadash.
Në arsim dhe energji, ai ka përmendur anëtarësimin me të drejta të plota të Kosovës në EQAR, vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, me 202 milionë dollarë grant amerikan për investime në sektorin e energjisë, si dhe Bursën e Mobilitetit për Studentë, një mbështetje e re për studentët që ndjekin studimet jashtë vendit.
Kurti ka theksuar po ashtu se Kosova është hequr nga listat e FMN-së dhe Bankës Botërore të shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, duke e cilësuar këtë si një tregues të përparimit institucional dhe ekonomik të vendit.




