Të nderuar qytetarë të Tetovës,
Viti 2026 është një vit i rëndësishëm për drejtimin dhe të ardhmen e komunës sonë. Në kuadër të vizionit Tetova 2026, kemi përcaktuar qartë prioritetet mbi të cilat do të ndërtojmë zhvillimin e qytetit tonë.
Ky vizion mbështetet në tre shtylla strategjike, të orientuara drejt nevojave reale të qytetarëve dhe sfidave të kohës.
Së pari, hapja e Qendrës Kulturore Rinore. Një hapësirë e re për të rinjtë tanë, ku kreativiteti, kultura dhe pjesëmarrja aktive do të kenë mbështetje konkrete. Sepse besojmë se investimi te të rinjtë është investim në të ardhmen e Tetovës.
Së dyti, krijimi i Sektorit të Mjedisit dhe Energjitikës, në përputhje me Agjendën e Gjelbër. Ky sektor do të jetë shtyllë e rëndësishme për një Tetovë më të pastër, më të shëndetshme dhe më efikase në përdorimin e energjisë, duke menduar për brezat e sotëm dhe ata që vijnë.
Së treti, digjitalizimi i shërbimeve publike. Një administratë moderne duhet të jetë transparente, e shpejtë dhe funksionale. Përmes digjitalizimit, shërbimet komunale do të jenë më të afërta me qytetarët dhe më të lehta për t’u përdorur.
Këto tri shtylla nuk janë vetëm plane në letër. Ato janë angazhimi ynë konkret për vitin 2026 dhe për një Tetovë që ecën përpara me vizion, përgjegjësi dhe besim në të ardhmen.
Ju faleminderit për besimin dhe për mbështetjen tuaj.
Bilall Kasami




