8 C
Tetovo
E premte, 23 Janar, 2026
BallinaLajmeMaqedoniDeputetët sot vendosin për “Safe City”-n

Deputetët sot vendosin për “Safe City”-n

Kuvendi sot do të mbajë vazhdimin e seancës së 76-të, në rendin e ditës së së cilës është votimi i Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar. Bëhet fjalë për ligjin e fundit të nevojshëm që nga 1 shkurti të fillojë funksionimin e sistemit për regjistrim dhe sanksionim automatik të kundërvajtjeve në trafik “Safe City”.

Mbështetja e nevojshme me shumicë prej dy të tretash për këtë ligj, për të cilin debati tashmë ka përfunduar, u sigurua në takimin e liderëve të mbajtur javën e kaluar, të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. E vetmja parti opozitare që ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet është LSDM-ja.

Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari, në një konferencë për shtyp të mbajtur më 20 janar, deklaroi se do t’i japin mbështetje Ligjit për kundërvajtje. Ajo theksoi se nëse vërejtjet e tyre nuk zbatohen, në të ardhmen do të paraqesin propozime për ndryshime të reja të ligjit.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp të mbajtur dy ditë më parë, theksoi se edhe pse projekti “Qytet i Sigurt” kishte nisur gjatë qeverisjes së tyre, tani nuk do ta mbështesin për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të të dhënave personale.

“Ne nuk jemi kundër sigurisë në trafik, dëshmi për këtë është fakti se pikërisht ne e kemi nisur këtë projekt. Megjithatë, nuk mund të lejojmë që sistemi të zbatohet pjesërisht. Krahas sigurisë në trafik, po aq e rëndësishme është edhe siguria e të dhënave, një çështje që pushteti as nuk e komenton dhe as nuk përpiqet ta rregullojë”, deklaroi Filipçe.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve më herët gjatë kësaj jave, deklaroi se gjatë periudhës testuese të sistemit “Qytet i Sigurt” janë shpëtuar nëntë jetë njerëzish, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në territorin e SPB Shkup ishin evidentuar 11 raste me pasoja fatale nga aksidentet në trafik.

Me ndryshimet e propozuara ligjore pritet forcimi i sigurisë në trafik përmes vendosjes së një procedure të posaçme për kundërvajtjet e konstatuara me mjete teknike dhe pajisje regjistrimi në kuadër të sistemit “Qytet i Sigurt”. Qëllimi është sanksionimi i shpejtë dhe efikas i shkelësve dhe rritja e parandalimit të përgjithshëm.

Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë tejkalimin e shpejtësisë, kalimin në dritë të kuqe, skadimin e lejes së qarkullimit dhe parkimin e parregullt, ndërsa në fazën e dytë parashihet zgjerimi i listës së kundërvajtjeve.

Pasi sistemi të vihet plotësisht në funksion, pronarët e automjeteve për të cilat konstatohet kundërvajtje do të marrin njoftim me SMS dhe e-mail, me një link për shkarkimin e procesverbalit me urdhër-pagesë. Pagesa do të mund të kryhet në mënyrë elektronike dhe, në rast të pagesës me kohë, nuk do të ketë shpenzime shtesë. Për kundërvajtjet për të cilat parashihet edhe masa e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik, Ministria e Punëve të Brendshme do të parashtrojë kërkesë për inicimin e procedurës pranë gjykatës kompetente. (INA)

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments