Propozim-ligji i ri për mbrojtje nga duhani është një nga ligjet më të mira që prek drejtpërdrejt shëndetin e të gjithë qytetarëve, posaçërisht më të rinjve. Oliver Zafirovski, drejtor i Klinikës për Pulmologji thotë se statistikat e fundit tregojnë se kufiri i konsumimit të duhanit tashmë ka rënë në 12 deri në 14 vjeç dhe gjithnjë e më shumë fëmijë po fillojnë të përdorin duhan. Zafirovski tha se ky ligj nuk duhet parë si dënim, por si mbrojtje, pasi nikotina është një nga shkaqet kryesore të kancerit të mushkërive.
“Ajo që është më e tmerrshme është se cigaret elektronike po bëhen gjithnjë e më shumë modë. Edhe pse ka propagandë se ato nuk janë aspak të dëmshme, përkundrazi, ato janë të dëmshme dhe japin pasoja afatgjata dhe të rënda për mushkëritë e ndjeshme të fëmijëve”, tha Oliver Zafirovski, drejtor i Klinikës së Pulmologjisë.
Nga ana tjetër, hotelierët kanë kërkuar që ligji të mos hyjë në fuqi menjëherë me masa ndëshkuese, por të paraprihet nga një periudhë informimi dhe fushate ndërgjegjësuese.
“Ka pasur ankesa nga ata që fillimisht të shkohet me një reklamë, me një fushatë, më pastaj të jepet një periudhë kohore prej një viti që të munden të përgatiten dhe të zbatojnë ligjin apo të respektojnë ligjin”, deklaroi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.
Ndryshimet ligjore parashikojnë ndalim të plotë të pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura publike, pa asnjë përjashtim, si dhe vendosja e kufizimeve të rrepta për shitjen dhe ekspozimin e cigareve si dhe atyre elektronike që përmbajnë nikotinë. /Alsat.mk

