Koalicioni VLEN ka dalë me një komunikatë ku e cilëson veten si “shpresa që u kthye në lëvizje politike”, duke theksuar se përfaqëson ndryshimin dhe bashkimin e shqiptarëve në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.
Në komunikatë, VLEN vlerëson se është rezultat i bashkimit për ndryshim të qytetarëve që, sipas tyre, nuk kanë pranuar të mbeten “peng i politikës së vjetër” dhe praktikave të përsëritura politike.
“VLEN është shpresa që u kthye në lëvizje politike. Shpresa e shqiptarëve që nuk pranuan të mbeten peng i politikës së vjetër… Ajo që filloi si bashkim për ndryshim, po rritet si bindje e përbashkët se shqiptarët kanë nevojë për një forcë politike që nuk i ndan, por i bashkon”, thuhet në komunikatë.
Koalicioni thekson se synon të ofrojë jo vetëm retorikë politike, por “drejtim dhe zgjidhje të qëndrueshme”, duke e vendosur theksin te përgjegjësia afatgjate dhe ndërtimi i besimit me qytetarët.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikë që i trajton si numër, por për politikë që ndërton besim, përgjegjësi dhe drejtim të sigurt për të ardhmen”, thuhet më tej.
VLEN kritikon gjithashtu atë që e cilëson si sistem të vjetër politik, të karakterizuar nga “pengesa dhe probleme të krijuara me qëllim”, ndërsa e paraqet veten si alternativë të re dhe të bashkuar.
“VLEN po vjen. Nëse jo sot, kur?”, përfundon komunikata e koalicionit.

