Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, edhe ditën e sotme, e ka vazhduar betejën kundrejt deponive të egra, duke pastruar deponinë mbi Bogovinë, në rrugën për Sellcë.
“Pas ndërhyrjeve në Pirok, përgjatë rrugës Bogovinë – Novo Sellë, ne rrjedhën e poshtme të lumit dhe dhe aksioneve për pastrimin e shtratit të lumit në Bogovinë, sot jemi duke vepruar në deponinë mbi Bogovinë, në rrugën për Sellcë.
Ky aks rrugor, përgjatë rrjedhës së lumit, për vite me radhë është shndërruar në një pikë të ndotjes së rëndë, ku janë depozituar mbetje të ndryshme. Sot kemi nisur pastrimin e plotë të kësaj zone, me synim rikthimin e saj në një hapësirë të pastër, të sigurt dhe të dobishme për qytetarët.”, ka shkruar Feti Abazi, në Facebook.
Ai, ka përmendur edhe mundësinë dhe kapacitetet e kësaj zone, për të u shndërruar nga deponi e egër, në pikë turistike dhe ambientaliste.
“Kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm për krijimin e hapësirave të gjelbra, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë cilësinë e jetesës, por edhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit lokal, duke mbrojtur njëkohësisht natyrën dhe burimet ujore”, ka thënë ai.
Për në fund, ai ka përsëritur apelin ndaj qytetarëve, për ndalimin e hudhjes së mbeturinave, në ambientet publike.
“APEL I RËNDËSISHËM: Ndalohet rreptësisht hedhja e mbeturinave në këtë aks rrugor dhe në çdo hapësirë publike! Çdo shkelje do të identifikohet dhe do të sanksionohet sipas ligjit.
Ftojmë të gjithë qytetarët të tregojnë përgjegjësi dhe vetëdije për mbrojtjen e mjedisit. Një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët – ta ruajmë së bashku për brezat që vijnë!”, ka përfunduar, Abazi.

