Drejtoria e Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër M.D., në cilësinë e ish-kryetarit të Odës Stomatologjike të Maqedonisë, K.P. në cilësinë e kryetarit dhe L.E., K.Z., A.D. dhe G.Q.Ç. në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për çështje profesionale stomatologjike, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” nga neni 353 i Kodit Penal.
I dyshuari i parë, M.D., duke tejkaluar kufijtë e autorizimeve zyrtare të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin, rinovimin, vazhdimin dhe heqjen e licencave për punë të doktorëve të stomatologjisë, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar, ka lidhur marrëveshje me shoqata joekzistuese për realizimin e formave të edukimit të vazhdueshëm profesional, përmes të cilave stomatologët fitonin pikë për rinovimin e licencave.

