Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mbajti sot fjalim në sesionin e 114-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, ku theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave të tregut të punës, modernizimin e legjislacionit të punës dhe forcimin e dialogut social.
“Sot bota e punës përballet me ndryshime të thella dhe të shpejta. Trendet demografike, zhvillimi teknologjik, inteligjenca artificiale, sfidat klimatike dhe zhvillimet gjeopolitike krijojnë mundësi të reja, por edhe rreziqe të reja për punëtorët, punëdhënësit dhe ekonomitë kombëtare”, theksoi ministri.
Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për krijimin e një ekonomie që siguron standard më të mirë jetese për qytetarët.
“Detyra jonë si bartës të politikave është të sigurohemi që askush të mos jetë i anashkaluar. Kjo është arsyeja pse Qeveria mbetet e përkushtuar në krijimin e një ekonomie që gjeneron vende cilësore pune, siguron kushte të mira pune dhe garanton standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët”, tha ministri.
Në fjalim, u theksua se masat aktive të punësimit mbeten ndër politikat kryesore të Qeverisë.
Duke iu referuar reformave në legjislacionin e punës, ministri bëri të ditur se qëllimi është vendosja e kornizës juridike bashkëkohore dhe evropiane që do të siguronte balancë midis interesave të punëtorëve dhe punëdhënësve.
“Jemi duke punuar për reformë gjithëpërfshirëse të legjislacionit të punës. Qëllimi ynë është të krijojmë sistem juridik modern dhe evropian që do të mbrojë të drejtat e punëtorëve, do të avancojë negociatat kolektive dhe do të sigurojë kushte të sigurta dhe të shëndetshme për punë”, theksoi ministri.
Ai konfirmoi edhe përkushtimin e shtetit ndaj standardeve ndërkombëtare të punës.
“Jemi krenarë që Maqedonia e Veriut është ndër vendet e pakta që ka ratifikuar të gjitha konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës në lidhje me lirinë e bashkimit dhe negociatave kolektive. Parimet e këtilla i shohim jo vetëm si detyrim ndërkombëtar, por si themel të shoqërisë demokratike dhe të drejtë”, tha ai.
Ministri theksoi në mënyrë të veçantë rolin e dialogut social në krijimin e politikave ekonomike dhe sociale.
“Jemi të bindur se asnjë reformë e suksesshme nuk mund të zbatohet pa një dialog të fortë dhe të sinqertë social. Si kryetar i Këshillit Ekonomik Social, besoj fuqimisht se dialogu është rruga më efikas për zgjidhje të qëndrueshme dhe të balancuara”, theksoi ministri.
Në fjalën e tij, ai gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të nënshkruhet Programi i ri i punës dinjitoze për periudhën e viteve 2026-2030.
“Jemi të bindur se Programi i ri i punës dinjitoze do të jetë vegël e rëndësishme për të mbështetur reformat, për të krijuar më shumë vende pune më të mira dhe për harmonizimin e mëtejshëm me standardet evropiane”, porositi ministri.
Në fund të fjalës së tij, ministri shprehu mirënjohje për Organizatën Ndërkombëtare të Punës për mbështetjen dhe partneritetin e saj shumëvjeçar, duke theksuar se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në ndërtimin e një bote më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më dinjitoze të punës.

