Bashkimi Evropian të hënën do të nisë negociatat formale për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi u hoq bllokada nga ana e Hungarisë.
Qipro, që aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian, njoftoi se vendet anëtare kanë arritur marrëveshje për një qëndrim të përbashkët lidhur me fazën e parë të negociatave, me çka janë kompletuar të gjitha përgatitjet e nevojshme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes rrjeteve sociale ka falënderuar partnerët në BE.
”Ukraina po bën atë që është e nevojshme, dhe është e rëndësishme që edhe BE-ja po e mban fjalën e saj”, shkroi ai. Presidenti ukrainas shtoi se fillimi i negociatave përfaqëson një “mbështetje të rëndësishme politike dhe morale për shtetin dhe popullin ukrainas”.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, gjithashtu e përshëndeti vendimin me një postim në rrjetin social X, duke shkruar: “Ne e përfunduam punën dhe do të vazhdojmë të zbatojmë reformat”.
BE-ja i nisi zyrtarisht negociatat e aderimit me Ukrainën dhe Moldavinë në qershor të vitit 2024, por hapja e fazës së parë të bisedimeve me Kievin u bllokua nga veton hungareze. Procesi nisi të lëvizë përsëri përpara pas humbjes elektorale të ish-kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán, në prill.
Kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar, javën e kaluar njoftoi se është arritur një marrëveshje me Kievin për forcimin e të drejtave të pakicës etnike hungareze në Ukrainën fqinje. Magyar më parë e kishte vendosur këtë marrëveshje si kusht për të dhënë pëlqimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE.

