Në Kopshtin e Fëmijëve “Rinia”, në objektin Teteks 1 & 2, janë realizuar një sërë punimesh dhe investimesh me qëllim përmirësimin e kushteve për fëmijët.Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një vizite në Institucionin Publik Komunal Kopshti i Fëmijëve “Rinia”, ka parë nga afër punimet e realizuara në këtë objekt.
Sipas njoftimit të Kasamit, objekti është rinovuar në mënyrë të gjithanshme. Ndërhyrjet kanë përfshirë muret, dyshemetë, tualetet, depot, dyert e dhomave, kuzhinën, si dhe hapësira të tjera të institucionit. Punime dhe ndërhyrje janë realizuar edhe në objektet e tjera që janë në kuadër të Kopshtit “Rinia”.
Kasami theksoi se Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me udhëheqësinë e institucionit, do të vazhdojë të angazhohet për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët.
“Investimi në fëmijët është investim në të ardhmen e qytetit tonë”, theksoi Kasami, duke nënvizuar edhe interesimin e madh të qytetarëve për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore.
Përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve në institucionet parashkollore synon të krijojë ambiente më të sigurta, funksionale dhe të përshtatshme për zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve.

