Pas më shumë se 15 vitesh, NPK në Tetovë pa paga të prapambetura dhe me kontribute të paguara
Pas më shumë se 15 vitesh, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) në Tetovë kanë marrë pagat dhe kontributet e plota, ndërsa nuk kanë më paga të prapambetura.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili sot, së bashku me drejtorin e NPK-së, Samet Bislimi, dhe punëtorët e ndërmarrjes, ka shënuar këtë arritje në Sheshin „Iliria“.
Kasami tha se ky ka qenë një nga premtimet e dhëna dhe se tashmë është realizuar.
“Ne e premtuam dhe sot e realizuam”, deklaroi Kasami, duke e vlerësuar punën dhe angazhimin e drejtorit të NPK-së, Samet Bislimi.
Kryetari i Tetovës shprehu mirënjohje edhe për punëtorët e NPK-së, të cilët, sipas tij, për vite me radhë kanë vazhduar t’u shërbejnë qytetarëve edhe përkundër kushteve të vështira të punës.
“Pas më shumë se 15 vitesh, për herë të parë, punëtorët e NPK-së janë me paga dhe kontribute të paguara. Asnjë pagë e prapambetur”, theksoi Kasami.
Ai tha se pagesa e rregullt e pagave dhe kontributeve përbën jo vetëm një çështje financiare, por edhe një çështje dinjiteti për punëtorët.
“Sot ata kanë atë që meritojnë – pagë të paguar, kontribute të paguara dhe dinjitet në punë. Ky është ndryshimi që kemi premtuar!”, përfundoi Kasami.

