Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, së bashku me zv/ambasadorin austriak Mathias Humenberger, kanë inspektuar sot tualetet e reja dhe rinovimin e oborrit të shkollës fillore në Novo Sellë. Qëllimi i kësaj vizite, ishte krijimi i kushteve më të mira për nxënësit, potencoi Abazi.
Postimi i plotë, nga Abazi.
“Sot, së bashku me zëvendësambasadorin e Austrisë në RMV, Sh.T.Z. Mathias Humenberger, promovuam nyjet e reja sanitare dhe oborrin e rinovuar të shkollës në Novo Sellë.
Për dekada, këto hapësira ishin lënë në harresë, ndërsa nxënësit përballeshin me kushte të papranueshme. Sot, jo vetëm që kemi krijuar kushte dinjitoze higjienike, por kemi zgjeruar dhe transformuar edhe oborrin e shkollës, duke i dhënë jetë një hapësire që më parë ishte e mbushur me mbeturina.
Mirënjohje e veçantë për Ambasadën e Austrisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe programin Club 0.7%, si dhe ambasadorin dhe zëvendësambasadorin për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar.
U gëzofshin nxënësit dhe stafi shkollor me hapësirat e reja! Të gjithë fëmijët meritojnë kushte të dinjitetshme për të mësuar dhe për t’u zhvilluar”, ka përfunduar, ai.

