Me 203 kilometra në orë është kapur duke vozitur një “Mercedes” me targa të Shkupit në autostradën Shkup–Shën Nikollë.
Rasti është regjistruar më 7 tetor, rreth orës 16:00, rreth tre kilometra para nyjës rrugore “Preod”. Shpejtësia është matur nga zyrtarët policorë të Njësisë Mobile për Sigurinë në Komunikacion, me pajisjen “LaserCam 4”.
Në atë pjesë të rrugës, e cila ndodhet jashtë zonës së banuar, shpejtësia maksimale e lejuar është 130 km/h.
Kundër shoferit janë ndërmarrë masat përkatëse, në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se kontrollet e trafikut vazhdojnë në të gjithë vendin, me qëllim sanksionimin e shkelësve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
MPB-ja u apelon të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

