Në katër lokacione të Tetovës janë vendosur semaforë me sinjalizim zanor, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe lehtësimit të lëvizjes së personave të verbër.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me përfaqësues të Shoqatës së Personave të Verbër, promovoi semaforët e rinj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.
Përmes këtij projekti, personave me dëmtim të shikimit u mundësohet të kalojnë rrugën më sigurt dhe në mënyrë më të pavarur.
Krahas vendosjes së semaforëve me sinjalizim zanor, në Tetovë janë ulur edhe trotuaret, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit për personat me nevoja të veçanta.
Kasami theksoi përkushtimin e komunës për krijimin e një mjedisi urban pa barriera, ku të gjithë qytetarët kanë mundësi të barabarta për lëvizje të lirë dhe të sigurt.

