Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka njoftuar se është asfaltuar rruga në dalje të fshatit Leshkë, në pikën ku lidhet me rrugën kryesore, duke i dhënë fund një problematike shumëvjeçare për banorët e këtij vendbanimi.
Memishi bëri të ditur se realizimi i këtij intervenimi është bërë në bashkëpunim me zëvendësdrejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Tahir Tairi, dhe Komunën e Tearcës. Ai shprehu mirënjohje edhe për ekipet e Telekomit, të cilat mundësuan zgjerimin e rrugës përmes zhvendosjes së një shtylle, si dhe për ekipet e ndërmarrjes komunale, të cilat intervenuan në rregullimin e një pusete.
Sipas Memishit, edhe pse bëhet fjalë për një ndërhyrje relativisht të vogël, ajo ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe lehtësimin e qarkullimit të banorëve./Tema.mk/

