Është në zhvillim e sipër një aksion i madh policor në zonën e Shkupit – Çair, Tetovës dhe Gjevgjelisë, i cili ka për qëllim shkatërrimin e një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti ilegale me barëra, medikamente dhe suplemente, si dhe për vepra penale korruptive.
Përkohësisht dhe jozyrtarisht, 6 persona janë arrestuar dhe po kërkohen edhe disa të tjerë (me të cilët ka edhe persona të punësuar në Drejtorinë e Doganave). Policia po kryen kontrolle në më shumë se 10 lokacione në qytetet e përmendura.
Në Shkup dhe Tetovë, gjatë kontrollit te një subjekt juridik, është gjetur një depo me ilaçe të ndryshme mjekësore dhe një makinë për ekstraktimin e vajit.
Policia, përmes Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë BJB – MPB, po vepron mbi dyshimet për kontrabandë, shkelje të të drejtave të pronësisë industriale, dhënie dhe marrje ryshfeti, si dhe larje parash.

