Alekandar Vuçiq ka shprehur shqetësimin për ndikimin e Albin Kurtit dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në një prononcim për mediat serbe nga Nju Jorku, Vuçiq thotë se synimi i kryeministrit të Kosovës është që ta mposht BDI-në dhe pas zgjedhjeve parlamentare të jetë pjesë e Qeverisë në vend.
“Ai dëshiron të sundojë edhe Maqedoninë e Veriut. Po, seriozisht, ai dëshiron të mposhtë Ali Ahmetin dhe BDI-në për të sunduar në Maqedoni pas zgjedhjeve të majit”, theksoi Vuçiq kohë më parë.
Shqetësimi i tij vjen nga fakti se me fitoren e Arben Taravarit dhe koalicionit VLEN shembet përfundimisht Ballkani Hapur dhe ndikimi serbo-rus në Maqedoni dhe rajon.
Nisma Ballkani i Hapur ende po mbështetet nga Maqedonia e Veriut, përfshirë edhe pushtetarët shqiptarë, të cilët nuk e kanë refuzuar këtë projekt, i cili kishte për qëllim ta izoloj Republikën e Kosovës, shkruan agjencia e lajmeve INA.
Se është projekt i Serbisë dhe Rusisë këtë e ka pohuar edhe ministri i jashtëm rus, Sergej Lavror.
Për më tepër, Lavrov ka deklaruar se këtë nismën e Ballkanit të Hapur e sheh si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO.
Politikat eskpansionite të Vuciqit si dhe pretendimet territoriale, e kanë bërë “Ballkanin e Hapur” një nismë të vdekur për Kosovën dhe kështu duhej të ishte për çdo politikanë që synon vlerat e familjes evropiane.
Kjo temë është rihapur edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Kandidati për president nga koalicioni “VLEN”, Arben Taravari ka paraqitur dy pikat kyçe nga programi i tij, në mesin e të cilave është edhe largimin e RMV-së nga “Ballkani i Hapur”.
“Maqedonia e Veriut e integruar në rajon dhe Evropë. Do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur. Harmonizim të plotë të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, është shprehur Taravari.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha se Maqedonia e Veriut është bërë pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur pasi janë inkurajuar nga ndërkombëtarët që t’i bashkëngjiten të njëjtës, përcjell TV21. Osmani tha se si ministër i një vendi anëtar në NATO, ka informacione shtesë për sulmin në Banjskë të Kosovës, tha se të njëjtat do t’i prezantojë para Qeverisë, ndërsa Qeveria do të vendosë nëse vendi ynë do të dalë nga kjo nismë. (INA)