Deputetja greke, Dora Bakoyannis e mori fjalën e para në Asamblenë Parlamentare më 16 prill për ta arsyetuar raportin e përpiluar nga ajo i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Në një op/ed për të përjavshmen serbe, Radar, Bakoyannis ka shkruar për sulmet që iu bënë asaj nga lidershipi në Beograd për shkak të raportit pozitiv për Kosovën.
Ajo i përgjigjet në shkrim presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia kujton se si negociatat e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për “korrigjimet e kufijve” presupozonin ekzistencën e dy shteteve.
“Në vitin 2018, në Forumin Europian Alpbach në Austri, presidenti Vuçiq pranoi publikisht se kishte negociuar ‘korrigjimet e kufijve’ mes Serbisë dhe Kosovës, me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pavarësisht se negociatat për kufijtë presupozojnë ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, atëherë me kë po negocioni?), të cilën unë e kundërshtoj, këtë e konsiderova si një akt trimërie nga ana e presidentit Vuçiq, jo një akt të tradhtisë”, shkruan ajo.
Kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e emëroi si Raportuese për kërkesën e Komitetit të Ministrave për opinionin e Asamblesë për aplikimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se “të gjithë ishin në dijeni të lidhjeve të mia të veçanta me Serbinë dhe popullin serb”.
“Jo vetëm sepse përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës*, por edhe për shkak të punës sime për Integrimin Europian të Serbisë”, shton ajo.
Ajo shkruan se “Serbia i përket Europës”, por thekson se “në vitet e fundit, perspektiva e integrimit europian të Serbisë është larguar”.
“Në të njëjtën kohë, për të gjithë ne që ëndërrojmë për një Serbi të begatë europiane, lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, incidentet e fundit të joliberalizmit dhe rastet e përsëritura të retorikës anti-BE në diskursin politik shkaktojnë shqetësim të madh”, shkruan Bakoyannis.
Ish-kryediplomatja greke shkruan se raporti i saj “iu kushtua vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të KiE”.
“Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme për komunitetin serb në rajon, të cilit, për dekada, i është hequr e drejta për t’i ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një Gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, shkruan ajo.
Bakoyannis përmendi se si asaj i ishin dashur 300 ditë nga misioni në Prishtinë, Mitrovicën e Veriut dhe në Bruksel, një ekip avokatësh të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritë, ambasadorë, kryetarët serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare vendore e ndërkombëtare për ta përpiluar atë raport.
Aty, ajo përmend edhe se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat te Manastiri i Deçanit.
“Asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim mbi anëtarësimin e tij në Organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83% e Kuvendit votuan pro Raportit”, shkruan Bakoyannis.
Deputetja greke thotë se “Asambleja Parlamentare nuk do të mbante asnjë qëndrim për shtetësinë” e Kosovës.
“Në fakt, gjatë fjalës sime në seancë plenare, nënvizova se ‘nëse do të kisha qenë e detyruar nga Komiteti i Ministrave të shpreh mendimin tim për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë Raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim’, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatë”, shkruan Bakoyannis. “Sidoqoftë, kjo e fundit nuk u kërkua kurrë. Njohja ose mosnjohja e shtetësisë është dhe do të mbetet prerogativë e shteteve”, shton ajo.
Përkundër kësaj, ajo thotë se u sulmua “personalisht nga lidershipi i Serbisë”.