Bashkimi Evropian nisi të enjten një hetim zyrtar ndaj rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram nën dyshimet se platformat në pronësi të kompanisë Meta po shkaktojnë varësi tek fëmijët.
“Ne nuk jemi të bindur se Meta ka bërë mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Akti i Shërbimeve Digjitale për të zbutur rreziqet e efekteve negative në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve europianë në platformat e saj Facebook dhe Instagram” – tha komisioneri europian për Tregun e Brendshëm Tieri Breto (Thierry Breton).
Ligji, që hyri në fuqi vitin e kaluar, kërkon që kompanitë e mëdha të teknologjisë të bëjnë më shumë për të kundërshtuar përmbajtjet e paligjshme dhe të dëmshme në platformat e mediave sociale.
Ky është hetimi i dytë ndaj kompanisë Meta, pas një hetimi të nisur muajin e kaluar nga Komisioni Europian lidhur me trajtimin e përmbajtjes politike mes shqetësimeve se kompania nuk po bënte mjaftueshëm për të kundërshtuar dezinformimin përpara zgjedhjeve evropiane që mbahen në qershor.
Facebook dhe Instagram janë ndër platformat e mëdha në internet që duhet të jenë në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë gjoba që mund të arrijnë deri në 6 për qind të xhiros globale apo edhe bllokim të tyre në rast të shkeljeve të rënda dhe të përsëritura./rtsh/