“Vendi i BDI-së është në opozitë, po e realizojmë atë që kemi premtuar. Jemi afër marrëveshjes me VLEN, nuk mund të them detaje, por është e sigurt që jemi afër një marrëveshje përfundimtare”, tha Timço Mucunski, nënkryetar i VMRO-DPMNE në intervistë për TV Sitel.

Për numrin e deputetëve në Kuvend, Mucunski tha se “është e sigurt që do të kemi më shumë se 70 deputetë, ka mundësi që koalicioni qeveritar të ketë edhe 80, por në ditët në vijim do të shohim se si do të duket”.

Duke folur nëse ZNAM do të jetë pjesë e Qeverisë së re, Mucunski tha se komunikimi nuk duhet të bëhet përmes publikut.

Sipas tij, është e mundur të arrihet dhe po punohet që të kenë një shumicë prej dy të tretash për temat kyçe.

“Ka një shumicë prej dy të tretash me VLEN, ndoshta edhe me ZNAM. Qëllimi është ndryshimi i Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore para formimit të Qeverisë së re. Ky ishte një nga premtimet tona, sepse me këtë do ta modernizojmë qeverinë, dhe kështu do të zhdukim një numër të madh të institucioneve të panevojshme që nuk kanë treguar efikasitet dhe prandaj mendoj se do të arrijmë një konsensus të madh”, tha Mucunski.

Ai përmendi se “VMRO-DPMNE duhet ta zbatojë atë që ka thënë deri më tani”.

“Ne jemi një parti që kemi ofruar zgjidhje që duhet ta bëjnë të parashikueshëm procesin e integrimit në BE, por duhet të kemi edhe njëfarë sigurie. Mbetemi në qëndrimin e aplikimit të shtyrë dhe se Bullgaria duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Ne mbetemi në pozicionet tona dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë dhe fqinjit tonë Bullgarisë, mendoj se ideja jonë mund të realizohet”, thotë Mucunski.

Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Mucunski tha se secila palë duhet t’i respektojë obligimet e veta dhe se edhe Greqia ka obligime.

“Ajo që kemi thënë se VMRO-DPMNE-ja nuk e pëlqen Marrëveshjen e Prespës, se është e gabuar, poshtëruese, mbetet, por në të njëjtën kohë nuk mund t’i ikim realitetit kushtetues dhe ligjor që ka krijuar në vendin tonë”, tha Mucunski.