Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të parashikueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar integrimin evropian si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë e kontinentit, përcjell fol
Sali këto qëndrime i shprehu gjatë pjesëmarrjes në takimin joformal të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, të mbajtur në Dublin, ku u diskutua për procesin e zgjerimit dhe perspektivën e vendeve kandidate.
Ai tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj integrimit në BE, zbatimit të reformave dhe përafrimit të plotë me vlerat dhe politikat evropiane.
Sipas Sali, sfidat kryesore për vendin lidhen me zbatimin efektiv të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, sistemit gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe administratës publike.
Zëvendëskryeministri i parë përshëndeti gjithashtu vizionin e komisioneres evropiane për zgjerimin, Marta Kos, për një model më ambicioz të integrimit gradual. Ky model, sipas tij, do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfshihen gradualisht në politikat, programet dhe pjesë të Tregut të Përbashkët të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.
Sali vlerësoi se një qasje e tillë do të përshpejtonte përgatitjet për anëtarësim, do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe do të rriste besimin në procesin e integrimit.
Ai theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në merita dhe të shoqërohet me përparim konkret për vendet që zbatojnë reformat e nevojshme.
“Maqedonia e Veriut ka zgjedhur Evropën. Jemi të gatshëm të përmbushim pjesën tonë dhe presim që përkushtimi, reformat dhe rezultatet tona të njihen me përparim”, deklaroi Sali./fol.mk

