Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilal Kasami, paralajmëroi se do të bashkëpunojë në një bllok më të gjerë opozitar me Izet Mexhitin, të cilin e pret të formojë parti. Sipas Kasamit, ka mundësi që partitë opozitare të kenë një listë të përbashkët.

“Kemi një deklaratë për bashkëpunim në të ardhmen me Alternativën, kemi kontakte të mira me Izet Mexhitin. Shpresojmë që shpejt ta zyrtarizojë partinë dhe të ulemi me lëvizjen apo partinë e tij, si do të zyrtarizohet, për të arritur marrëveshje. U bëjmë thirrje grupeve të tjera të pakënaqur, pjesë e Qeverisë dhe opozitës, të na bashkohen, sepse vlerësojmë që ka ardhur koha edhe në pjesën shqiptare, pas 20 vjetësh, le të themi, qeverisje moniste të BDI-së, që të ketë ndryshim të qeverisë dhe të vijnë ata që do të punojnë në interes të qytetarëve. Po, do të performonim me listë të përbashkët dhe me qasje dhe pjesëmarrje të përbashkët në qeverisjen e ardhshme, tha Kasami nga Tetova, ku si kryetar komune vuri në përdorim një rrugë të rikonstruktuar.

Në pyetjen e një gazetari për pjesëmarrjen e opozitës në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, Kasami tha se janë në komunikim me të gjitha partitë opozitare për të propozuar një anëtar të ri dhe në periudhën e ardhshme do të kenë një zgjidhje edhe për këtë.