Sjellje skandaloze dhe autoritare. Kështu e ka cilësuar Lëvizja BESA vizitën e djeshme të kryeministrit teknik, Talat Xhaferi në Policinë e Tetovës. Blerim Sejdiu tha se çdo institucion që udhëhiqet nga shefat e BDI-së është në gjendje të mjerueshme, ndërsa nga kryeministri Xhaferi kërkoi të mban përgjegjësi dhe të gjen zgjidhje për kaosin e krijuar me dokumentet personale.

“Talati dje, revoltën e dështimit të tij dhe partisë së tij e nxjerri tek nëpunësit shtetëror, duke harruar se ato institucione udhëhiqen nga shefat e BDI-së. Zotri Talat, problemi i institucioneve nuk zgjidhet me emocione e bërtitma, por me zgjidhje ligjore dhe menaxheriale, por pasi që u paraqite ashtu, atëherë duhej që të shkosh të hapësh zyrat e shefave e funksionarëve që keni emëruar ju mbi ata nëpunës, e ti shkarkosh menjëherë nga dita e nesërme, bashkë me veten tënde”, tha Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA.

Për banorët e Tetovës, vizita e djeshme e kryeministrit teknik ishte tejet e ulët dhe skandaloze. Kërkojnë nga kryeministri teknik që në vend të fjalëve, këtyre nëpunësve të ju siguroj kushte për punë.

“Punonjësi që ishte aty ia tha direkt, një kompjuter kemi dhe një aparat fotografie. Duhej ti tregoje ku janë ato vende tjera për njerëzit. Qasja e Talatit dihet, ai nuk është adekuat për atë punë ti vizitoj ata si e para dhe e dyta ai është epror ushtarak as edhe krye parlamentar s`duhet të jetë. Ai duhet të merret me profesionin e vetë, por edhe nuk presim asgjë prej tyre”, tha një banor.

“E rëndë ishte e rëndë ishte dhe nuk dua aspak të merrem me komentimin. Kjo do ishte një komentim banal po ta bëja”, theksoi një banor.

“Si t’ju them, ai as që duhet të merret me atë punë. Faleminderit shumë”, u shpreh një banor.

Ditë më parë, Xhaferi në kuadër të vizitës në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë vizitoi edhe pikën në të cilën qytetarët pajisen me dokumentet personale dhe të udhëtimit. Gjatë vizitës së tij u vërejtën radhë të gjata të qytetarëve që prisnin për t’u fotografuar, ndërsa Xhaferi në cilësinë e kryeministrit, përmes toneve të ashpra u kujdes për vendosjen e rendit në atë institucion. E gjithë skema u filmua nga ana e mediave dhe qytetarëve që ishin prezent, ndërsa vizita e Xhaferit pezulloi funksionimin e institucionit për disa minuta derisa ai qëndroi brenda hapësirave./Alsat.mk