Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Bashkë me të në takim ishin dhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, si dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.
U diskutua për situatën dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, vullnetin dhe shanset për integrim në BE dhe NATO, e në veçanti për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, historinë dhe aktualitetin si dhe perspektivat për të ardhmen.
“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te Kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë.
Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre.
Kryeministri Kurti i falënderoi ata për angazhimin në ndërtimin e urave të paqes e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë brenda rajonit, parime këto evropiane të cilat përqafohen e mishërohen edhe në Republikën tonë.