Muhamer Pajaziti
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u miratua nga Asambledhja e Përgjithshme e OKB-së më 10 dhjetor të vitit 1948.
Për herë të parë vendoset që të drejtat e njeriut të mos jenë ekskluzivitet i shteteve vec e vec, por ato të jenë universale dhe të monitorohen nga bota demokratike.
Ky ishte një mësim pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën humbën jetë miliona njerëz dhe përbuzja e të drejtave të njeriut çoi drejt akteve barbare, të cilat ofenduan rëndë ndërgjegjen e njerëzimit.
Kjo Deklaratë së bashku me konventat përcjellëse parasheh respektimin e të drejtave: personale, civilo-politike, socie –ekonomike dhe kulturore.
Shumica e shteteve në botë e kanë miratuar këtë dokument në Parlamentet e tyre kombëtare, por ajo shumë pak është respektuar.
Këtë e dëshmojnë luftrat e fundit në botë me shumë viktima, por edhe realiteti jonë ku jetojmë.
Nëse e marrin Maqedoninë dhe analizojmë të drejtat personale, të drejta që garantojnë lirinë dhe barazinë në mes të njerëzve, të cilëve duhet tu mundësohet të jetojnë me dinjitet, hasim në një realilitet të vrazhdë dhe mohues.
Kjo për faktin se shumë qytetarë për shkakë të etnisë së tyre, religjionit, por edhe ngjyrës, nuk trajtohen njësoj nga shteti. Ndaj tyre ka një trajtim selektiv kudo që përballen me shtetin apo institucionet shtetërore.
Kjo dëshmohet edhe me gjykatat, të cilat në shumicën e rasteve kanë marrë vendime selektive.
Të drejtat civilo-politike në Maqedoni kanë të bëjnë me të drejtën për të jetuar, të drejtën e lirisë së shprehjes , mendimit, besimit si dhe të drejtën për të votuar dhe për tu zgjedhur.
Ka shumë qytetarë në këtë shtet që nuk guxojnë ti shprehin mendimet e tyre, sepse mund ta humbin vendin e punës ose mund të degradohen në mënyra tjera. Pastaj e drejta e votës, shpeshherë është blerë dhe manipuluar. Kjo dëshmohet edhe nga afera e përgjigjemeve që dolën vite më parë.
Të drejtat socio-ekonomike nuk respektohen, sepse shteti nuk është në gjendje tu mundësojnë qytetarëve të jetojnë me dinjitet. Janë mbi 30 mijë familje që marrin ndihma sociale qesharake dhe që janë në luftë të vazhdueshme me mbijetesën.
Qytetarët në varfëri ekstreme nuk e kanë mundësinë të jetojnë me dinjitet. Mosrespektimi i të drejtave të njeriut është përmendur shpeshë edhe në raportet e ndryshme të organizatave ndërkombëtare dhe ky është një problem serioz. (INA)