Mërgim Mavraj është bërë protagonist në një skenë të frikshme për t’u parë. Ish-kapiteni i Kombëtares që është tërhequr nga kuqezinjtë, ka pësuar një dëmtim të frikshëm gjatë sfidës së javës së dytë të kategorisë së dytë të futbollit gjerman AUE-Grojter Furt, 1-1.

Mbrojtësi i Grojter Furtit u lëndua pas një përplasjeje aksidentale me portierin e skuadrës së tij. Portieri Sasha Burshert, në minutën e 17-të të sfidës me AUE-n, pas një krosimi nga lojtarët e AUE-s në zonën e Grojter Furtit, doli nga zona e tij për të spastruar topin, por nuk mundi të shmangte kontaktin me Mavrajn duke e goditur në kokë.

Ky moment ka bërë që Mavraj të rrëzohet dhe në mediat gjermane është raportuar se mbrojtësi kuqezi ka humbur ndjenjat për një moment. Stafi mjekësor ka ndërhyrë për t’i dhënë ndihmë ish-kapitenit të Shqipërisë.