Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur fajtorë ish-inspektorat e Komunës së Prishtinës, Ismet Halitit, Skender Canollin, Mërgim Shalën dhe Vehbi Abdullahun, duke i dënuar me 4 vite burgim për korrupsion.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve të lartcekur u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Haliti i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe atë për pikën 1 të dipozitivit e ka dënuar me burgim prej 1 viti, nga pika 2, burgim prej 4 muaj, për pikën 3, burgim prej 4 muaj, për pikën 4, burgim prej 3 muaj, ndërsa për pikën 5, dënim prej 3 muaj.

Të njëjtit gjykata po ashtu i ka shqiptuar dënim plotësues, ku i konfiskohet; automjeti i tipit “Audi Q7”, automjeti i tipit “Wolsagen Golf”, si dhe parat në shumën prej 11 mijë euro, të gjitha këto si dobi pasurore të përfituara me kryerjen e veprave penale.

Ndërsa, të akuzuarit Canolli gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të përshkruara në pikat e aktakuzës, ashtu që për pikën 1 të dipozitivit, dënim me burgim prej 6 muaj, për pikën 2, burgim prej 4 muaj, ndërsa për pikën 3, burgim prej 4 muaj.

Të njëjtit iu konfiskua automjeti i tipit “Wolsfagen Passat”, parat në shumën 10 mijë e 560 franga zvicerane, 2 mijë e 600 dollar amerikanë dhe 1 mijë e 880 euro.

Kurse, sipas aktgjykimit të akuzuarit Abdullahu gjykata i ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muaj, përkatësisht për pikën 2, burgim prej 4 muaj, për pikën 3 prej 4 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit do t’i shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 12 mijë euro.

Gjithashtu, dënim me burgim iu shqiptua edhe të akuzuarit Shala, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe atë dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqim e të akuzuarit do t’i shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro. Të njëjtit iu konfiskohet banesa në lagjen Kalbria.

Të akuzuarve Haliti, Canolli Abdullahu dhe Shala do të ju llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktgjykimit, urdhërohet Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të shesin automjetet e precizuara si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, pasi i njëjti të bëhet i formës së prerë, si dhe nga shitja e tyre, parat e fituara të derdhen në buxhetin e Kosovës.

Gjithashtu të njëjtit obligohen secili veç e veç që të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, ashtu që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumë prej 200 euro, si dhe shumën prej 100 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar, Komuna e Prishtinës për realizimin e kërkesës pasurore juridik udhëzohen në kontest të rregullt civil, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykim.

Ndërkaq, në seancën e 15 dhjetorit 2021, prokurorja e kishte ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi.

Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.