Tre persona u vranë sot gjatë të shtënave në gjimnazin në Sanjski Most (BiH), dhe i dyshuari për sulmin është një punonjës i asaj shkolle, i cili pas masakrës ka tentuar të vetëvritet.

Siç shkruan “Nezavisne”, punonjësi M.V. herët në mëngjes hyri në shkollë dhe vrau tre të punësuar.

Sipas dëshmive të dëshmitarëve, M.V. ka hyrë i armatosur në objektin e gjimnazit. Ai, sipas informacionit, ka vrarë drejtorin e gjimnazit, Nijaz Haliloviç, profesoreshën Gordana Nidzhan dhe sekretaren Nisveta Kljuniç.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të atij rajoni kanë konfirmuar se tre të punësuar të gjimnazit kanë humbur jetën, dhe i dyshuari më pas ka tentuar të vetëvritet. Ai është transferuar në Qendrën Emergjente në Banja Luka.

Motivi, sipas raportimeve, është disa mosmarrëveshje që kanë ekzistuar më parë, pasi të vrarët ishin pjesë e komisionit që kishte pezulluar M.V., shkruan “Nezavisne”.

Hetimi është në zhvillim e sipër, dhe shkolla është e rrethuar nga forca të shumta policore.