Ministria e Ekonomisë dhe Punës shpalli dy thirrje të reja publike me mbështetje financiare gjithsej prej 7 milionë denarë, të destinuara për avancimin e konkurrueshmërisë së kompanive vendase nga industria përpunuese. Me thirrjet publike sigurohet mbështetje konkrete në dy fusha të rëndësishme – forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kompanive dhe universiteteve përmes projekteve të përbashkëta, si dhe futja, zbatimi dhe certifikimi i standardeve dhe zhvillimi i praktikave të përgjegjësisë shoqërore.
„Përcaktimi ynë është që mbështetjen publike ta orientojmë drejt masave që krijojnë vlerë afatgjatë për kompanitë dhe ekonominë. Me këto dy thirrje publike sigurojmë gjithsej 7 milionë denarë për industrinë përpunuese, me fokus në inovacionet, njohuritë, teknologjitë e reja, standardet dhe konkurrueshmërinë më të madhe. Dëshirojmë që kompanitë vendase të jenë më të fuqishme, më moderne dhe më të përgatitura për të vepruar në tregjet evropiane dhe botërore“, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Thirrja e parë publike, me buxhet gjithsej prej 5 milionë denarë, është e destinuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve afariste nga industria përpunuese dhe universiteteve përmes realizimit të projekteve të përbashkëta.
Përmes kësaj mase mbështeten iniciativa të reja në fushën e kërkimit, zhvillimit, inovacioneve, transferimit të njohurive dhe teknologjive, ndërkombëtarizimit dhe specializimit të mençur. Projektet mund të përfshijnë edhe përdorimin e laboratorëve universitarë për testim dhe hulumtim, përmirësimin e proceseve teknologjike dhe produkteve, futjen e ekonomisë qarkulluese, transformimin e gjelbër dhe digjital, analiza profesionale, konsulenca dhe trajnime të specializuara.
Ministria siguron 70 për qind të shpenzimeve të dëshmuara, por jo më shumë se 500.000 denarë për aplikues. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë subjektet afariste nga industria përpunuese, në përputhje me KKV Rev. 2.1, të cilat kanë të paktën pesë të punësuar me marrëdhënie pune me kohë të pacaktuar dhe me orar të plotë para publikimit të thirrjes publike.
Thirrja e dytë publike ka një buxhet gjithsej prej 2 milionë denarë dhe është e destinuar për kompensimin e një pjese të shpenzimeve të kompanive për furnizimin, zbatimin dhe certifikimin e standardeve horizontale dhe standardeve të tjera, dokumenteve të standardizimit dhe raporteve të nevojshme për zhvillimin dhe zbatimin e praktikave të pranueshme shoqërore, ndërkombëtarizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Edhe në kuadër të kësaj thirrjeje, Ministria mbulon 70 për qind të shpenzimeve të dëshmuara, por deri në shumën prej 200.000 denarë për aplikues.
Mbështetja përfshin edhe përgatitjen e raporteve që lidhen me SA 8000, BSCI, SMETA, GOTS dhe STEP, si dhe raporteve për ESG – Environmental, Social and Governance standardet dhe praktikat, dhe raporteve në përputhje me standardin ESRS. Do të njihen shpenzimet e dëshmuara të krijuara gjatë viteve 2025 dhe 2026.
„Me thirrjen e dytë dëshirojmë t’u ndihmojmë kompanive që t’i ngritin standardet e tyre dhe t’i përmbushin kërkesat bashkëkohore të tregjeve. Sot konkurrueshmëria nuk nënkupton vetëm të prodhoni dhe të shisni, por edhe të veproni sipas standardeve që krijojnë mundësi për ndërkombëtarizim dhe bashkëpunim me partnerë të huaj. Prandaj, mbështesim edhe certifikimin, praktikat ESG dhe ESRS, si dhe standarde të tjera që janë të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të kompanive“, theksoi Durmishi.
Aplikimet sipas të dyja thirrjeve publike mund të dorëzohen më së voni deri më datë 15 shtator 2026, në zarf të mbyllur në Arkivin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, në rr. „Jurij Gagarin“ nr. 15, Shkup, ose me postë të rekomanduar. Formularët e nevojshëm dhe informacionet shtesë janë në dispozicion në ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ndërsa për informacione shtesë kompanitë mund të drejtohen në numrat e telefonit 02/3093-475 dhe 02/3093-403.

