Nga: Muhamed ZILBEARI

Sot, në këtë kohë kurë janë çartur të gjithë, të shkruash për ngjarje politike është e kotë, e rrezikshme, neveritëse dhe shumë nënçmuese. Mirëpo, ka ngjarje që aq të provokojnë saqë nuk mund të jesh edhe aq indiferent, sepse indiferenca është gjysëmvdekje.
Të themi se ne të gjithë duhet të jemi shumë të mobilizuar për ngjarjet që vendosin për ardhmërinë e gjeneratave të reja, përsëri është e kotë, sepse shumë shpejt nuk do të kemi gjenerata të reja për të cilët duhet të kemi një politikë të shëndoshë, sepse të gjithë ikën prej këtij vendi.
Lirisht mund të themi se shumica ikën mu prej kësaj politike. Mbasi këtu shumë gjëra kanë filluar të jenë të kota dhe çfarëdo që të shkruash është e kotë, atherë mbetet të shkruash vetëm kur je i provokuar… edhe pse edhe kjo është e kotë. Po haj ta provojmë!
Para fillimit të çdo pune e planifikon atë se çka do të duhet të realizosh dhe në fund i analizon rezultatet e punës. Të ka dalë si duhet apo jo?

Ky shkrim është një orvatje për ta paraqitur një ngjarje aktuale; përçarjet në ASH, kuptohet, në verzionin tim dhe njohurive që kam. Jam kujdesur që kronologjia e ngjarjeve të mos jetë imponues për lexuesit. Meqë ky shkrim nuk mund të jetë i pëlqyeshëm për të gjithë, kërkoj mirkuptim për lexuesit që kanë mendim ndryshe.

Le t’ia fillojmë.
Para shumë vitesh, në kohën kur isha aktiv në jetën partiake, edhe brenda partisë sime po edhe brenda partive tjera kishte turbulenca të ndryshme si këto të sotmet, por unë do përqendrohem kryekëput në turbulencat brenda partisë të cilës i takoja, PDSH-së (PPDSH).
Turbulenca të mospajtimit apo të pakënaqësisë kishte nëpër shumicën e degëve, por e para dhe pa konkurrencë ishte Dega e Strugës. Në këtë Degë çdo herë diçka vlonte, herë suspendohej kryesia, herë pushonte funksionimi i saj, por diçka ndodhte. Dhe përsëri nga e para.
Më kujtohet koha kur, pas shumë fërkimeve, në krye të Degës së Strugës erdhi ZIADIN SELA, një djalë i ri me tipare të një politikani që jepte shpresë. Ne që nuk pajtoheshim me shumë gjëra brenda partisë, filluam të mendojmë “Ja, lindi personi i një periudhe pas Arbën Xhaferit!”. Kjo shpresë zmadhohej kur kihej parasysh se Ziadini ishte edhe nipi i një aktivisti të dalluar, Aliriza Llogës, për të cilin kisha shumë respekt.
Ziadinin nuk e kisha takuar kurrë dhe të gjitha këto që i shkruajta më lart ishin të dhënat e mia nga distanca.

Një ditë, në Strugë e takova një mik timin, i cili nuk i takonte politikës. Duke pirë kafe, pas muhabetit të zakontë, filluam t’i komentojmë edhe ngjarjet apo aktivitetet partiake. Papritmas më tha:”Ju, në krye të Degës së Strugës e keni venduar një BANDIT, të cilit partia po se po por edhe më gjërë, do t’ia shohim sherrin.
Ai është i pamëshirshëm dhe bën çmos për interesa shumë të vogla dhe personale”. U dëshëpëva shumë nga kto fjalë të mikut tim, madje edhe u hidhërova, por hidhërimin e mbajta në vete, për hir të miqësisë. Mirëpo, nuk mundja pa mos i thënë: “Koha do të dëshmojë që je shumë gabim!”. Qëndruam një kohë pa folur gjë dhe shumë shpejt u çuam. Duke u përshëndetur më tha: “Koha do ta dëshmojë!”. Nga ai moment, as e kam takuar dhe as telefonuar.
Duthet ta pranoj se, në çdo lëvizje që bëheshin në Degën e Strugës, më kujtoheshin fjalët e mikut dhe kjo më detyronte që t’i ndjek me kujdes. Edhe gjatë asaj periudhe kishte fërkime në Degën e Strugës, por ishin më të vogla në krahasim me ato që pasuan më vonë, ndërsa kulminacioni u arrit para zgjedhjeve parlamentare të radhës, ku edhe “plasi”.

Ziadini me një pjesë të Degës propozon një bartës të listës, ndërsa pjesa tjetër një bartës tjetër. Ne nga anash mendonim se ajo që ndodh ishte vetëm një “fizkulturë” normale që ndodhte para çdo cikli zgjedhor. Dita ditës këto dallime merrnin përmasa edhe më të mëdhaja përçarëse, që e brengoste antarësinë e gjërë për rezultatin e zgjedhjeve.

Bartësi i Ziadinit, normalisht, nuk kaloi në qendër dhe Ziadini apeloi në antarësinë që kishte ndikim për bojkotimin e zgjedhjeve. Gjatë kësaj periudhe shumë nga ne ishim të mendimit se Ziadini kishte të drejtë në veprimet e tij, por ishim kundër apelit për bojkot. Ne, të pakënaqur me veprimet në qendër, ishim të mendimit se këto lëvizje duhet të bëheshin pas zgjedhjeve, atëherë kur do të mundnim të organizoheshim më mirë për lëvizjet eventuale. Por prapëseprapë ishim në përkrahje të Ziadinit në veprimeve të tij.

Unë personalisht iu drejtva me letrën më të gjatë që kam shkruar dikur, me lutje që të mos i bojkotojë zgjedhjet, sepse ashtu-ashtu në terren nuk qëndrojmë mirë dhe se kjo nuk ishte mirë për subjektin tonë. Normalisht, nuk mora përgjgje. Si duket Ziadini e kishte ndarë mendjen për një periudhë më të gjatë dhe bartësin e listës e kishte pasur vetëm si shkak. Pas zgjedhjeve përçarjet u rritën edhe më shumë dhe kjo e shkaktoi formimin e PDSH-së për reforma (opcioni që fiton).

Ishte e një përkrahje e madhe e të pakënaqurve dhe shumë më gjerë. Unë e përkraha themelimin e këtij subjekti të ri. Pas takimeve me shumë aktivistë, ndër të cilët edhe me sekretarin e atëhershëm Arben Taravarin (jam takuar dy herë), për disa shkaqe tjera, vendosa të mos jemë pjesë e strukturës së subjektit të Selës.

Zgjedhjet e radhës ishin një mundësi e etablimit të këtij subjekti në skenën politike dhe ky subjekt serioz të jetë vendosës për fatin e popullatës. Kështu edhe ndodhi. Pjesëmarrja e ASH-së së riemëruar në Qeverinë e Byrekut dhe dalja nga kjo qeveri ishte dinjitoze por me elementet e para të vetëdashurisë të këtij subjekti.

27 prilli ishte një moment shumë i mërzitëshëm për fatin e jetës së Ziadinit. Këtë ngjarje, popullata (me përjashtime), e përjetoi me pikëllim. Mua më duket se këto ngjarje ishin kthesa në gabimet pasuese të Selës, kulminacioni i të cilëve ishin Zgjedhjet lokale.

Rezultatet katastrofike në këto zgjedhje e zbehën besimin në figurën e Ziadinit dhe në shpersën se një ditë do ta arsyetonin “opsionin që fiton”. Filluan edhe kërkesat për largimin e tij nga kreu i subjektit, gjë që edhe ndodhi. Në bazë të rezultateve dhe sjelljes brilante, koha punonte për Arben Taravarin.
Ardhja e Tarvarit në krye të subjektit ishte shpresëdhënëse edhe pse kjo ardhe e tij ishte alla Menduhçe, me kryetar kuvendi e me do salltanate që janë të tepërta për një subjekt politik.

Ata që e njohën Selën nga afër thonë se ka një “ego” të pashoq dhe se kjo “ego” u doli në sipërfaqe pas largimit të tij nga kreu. Edhe pse Aleanca e kishte kryetarin e saj, ai sillej si “baba”, si vendosës i gjërave dhe mundohej ta paraqiste kryetarin vetëm si një kukull. Kjo filloi të marrë masa edhe më të mëdha me futjen e Aleancës në qeveri. Mundohej t’i emëronte personat e afërt nëpër vendet kyçe dhe t’i largonte ata të padëgjueshmit. Diçka shihej prej aeroplani.

Ai i largoi gati të gjthë themeluesit nga vendet kyçe në Aleancë dhe shum pak i kyçi në kulaçin qeveritar.
Nga jashtë dukej se Sela nuk u pajtua kurrë me dorëheqjen e tij nga kreu dhe fitohej përshtypja se ai po përgatitet për rikthim në tron. Ai filloi t’i mledhë pas vetes të besuarit e tij (gjë që është kollaj kur je në pushtet) dhe filluan postimet në Fejsbuk për liderin e pakontestueshëm të Aleancës. Dukej ashiqare se diçka po përgatitet dhe se vetëm pritej shkaku dhe momenti.
Këto veprime, ashtu si i shihnin pjesa neutrale, sigurisht që i ka vërejtë edhe Arben Taravari, i cili ështu shumë intelegjent dhe më i përgatitur se Sela.

Taravari me paraqitjet e tij luante me nervat e Ziadinit dhe përkrahësit e këtij të dytit. Lëshonte nga një deklaratë për takimet e ndryshme të tij dhe vlonin postimet e përkrahësve të Selës.
Taravari duke e patur të njohur se çka i përgatitet, e lëshoi mendimin e bashkangjitjes me opozitën. Sela e pa momendin dhe kreu “puç” me marrjen e selisë së partisë, që ishte një veprim sa dëshprues për të gjithë po aq veprim i ulët për votuesin neutral.

Paraqitja e tij e fundit në Klan Maqedoni me broçkullat e përçarjes, ku e akuzonte Taravarin, ishte edhe një dëshmi e “e gojëmblit e punëdjallit”.

Si duket ka ardhur koha që ta thirr përsëri mikun tim për një kafe.

E rëndësishme 👇👇👇

Shpërndaraja prejë individëve dhe portaleve, pa leje e ndaluar.