UEFA mblodhi pak ditë më parë në Budapest përfaqësues nga të 55 federatat anëtare në një aktivitet me rëndësi siç është Konferenca “UEFA Grow – Komunikimi dhe Marketingu”, për të shkëmbyer njohuritë dhe inovacionet më të fundit teknologjike me disa lektorë dhe ekspertë mjaft të njohur nga e gjithë bota.

Ndër temat kryesore të diskutuara përgjatë tre ditëve të konferencës, ishte analizimi i evolucionit televiziv, përdorimi i Inteligjencës Artificiale për efikasitet operacional, strategjitë për të angazhuar audiencën dixhitale dhe moshat e reja, rritja e futbollit të femrave dhe maksimizimi i vlerës së sponsorizimit.

omGjithashtu, të ftuar specialë ishin edhe trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, i cili ndau me të pranishmit idetë dhe eksperiencën e tij mbi komunikimin dhe menaxhimin e nivelit të lartë, si edhe shefi i arbitrimit në UEFA, Roberto Rosetti.

Federata e Futbollit të Maqedonisë u përfaqësua në këtë konferencë nga njëri prej përgjegjësit e Departamentit të Komunikimit, Faton Zylbehari dhe përgjegjësja e Departamentit të Marketingut, Aleksandra Pejkovska, ndërkohë që morën pjesë edhe përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të     UEFA-s.

Konferenca theksoi rolin qendror të UEFA-s në bashkëpunimin me të 55 federatat anëtare, pavarësisht nëse marrin pjesë ose jo në finalet e EURO 2024, për të krijuar një zë të bashkuar për turneun më të madh kontinental.